Salla: Bujqësia 10% më shumë financim në 2027-ën, prioritet fermerët dhe prodhimi vendas

TIRANË , 19 nëntor 2026/Albania Express News/-Buxheti i vitit 2027 parashikon 18 miliardë lekë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, 10% më shumë krahasuar me vitin 2026.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla e cilësoi sot këtë si mbështetjen më të lartë historike të planifikuar për sektorin.
Përmes një videomesazhi, Salla theksoi se rritja ekonomike krijon mundësi për më shumë mbështetje financiare për qytetarët dhe sektorët prodhues të vendit.

“Rritja e ekonomisë na jep mundësinë që për herë të parë të kemi një buxhet 10 miliardë euro, duke e kthyer zhvillimin ekonomik në më shumë mbështetje për qytetarët dhe sektorët prodhues të vendit”, deklaroi Salla.

Ai nënvizoi se rëndësi të veçantë ka mënyra se si financimi i parashikuar do të përkthehet në përfitime konkrete për fermerët.

“Por për ne më e rëndësishmja është se si ky buxhet të përkthehet në më shumë të ardhura për fermerët, kosto më të ulëta prodhimi dhe më shumë mundësi investimi në fshatin shqiptar”, u shpreh ministri.

Sipas tij, nga fondi i përgjithshëm, 8,4 miliardë lekë janë parashikuar për zhvillimin rural, ndërsa 5,3 miliardë lekë do të shkojnë për Skemën Kombëtare, me synim nxitjen e zhvillimit rural, modernizimin e fermave dhe fuqizimin e blegtorisë.

Ministri bëri të ditur se përmes paketës së re fiskale synohet ulja e çmimit të naftës me rreth 32 lekë për litër, si dhe dyfishimi i fondit për kompensimin 10% të autofaturave për fermerët.

Gjithashtu, 4,3 miliardë lekë janë parashikuar për ujitjen dhe kullimin, ndërsa rreth 3 miliardë lekë për sigurinë ushqimore dhe forcimin e kontrolleve në përputhje me standardet europiane.

“Buxheti 2027 është angazhimi ynë për një bujqësi më konkurruese, që ecën drejt BE-së, me më shumë mbështetje për fermerët, më shumë prodhim vendas dhe më shumë zhvillim për Shqipërinë 2030”, përfundoi Salla.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Tensione përpara Kryeministrisë, protestuesit përplasen me policinë

TIRANË , 19 nëntor 2026/Albania Express News/-Përplasjet mes protestuesve...

Komiteti Ekzekutiv i FSHF miraton ndërtimin e një fushe futbolli me bar artificial në qytetin e Peqinit

TIRANË / PEQIN , 19 nëntor 2026/Albania Express News/-Komiteti...

Zv. Trajneri Kalari para sfidës me AF Elbasanin: Kemi punuar mirë, Dinamo synon fitoren në Elbasan Arena

TIRANË , 19 nëntor 2026/Albania Express News/- Dinamo City...