TIRANË , 19 nëntor 2026/Albania Express News/-Punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar për Edukimin dhe Punën me të Rinjtë janë certifikuar pas përfundimit të një cikli trajnimesh të specializuara për çështjet e sigurisë në shkolla. Në të njëjtën kohë, nxënësit dhe të rinjtë në Shqipëri do të kenë në dispozicion, edhe në gjuhën shqipe, platformën europiane “Help4You”, e krijuar nga Europol, e cila synon t’u vijë në ndihmë përmes informimit dhe këshillimit lidhur me dhunën dhe problematikat që hasin në hapësirën digjitale.
Aktiviteti përmbyllës i trajnimit u zhvillua nga Programi Suedez për Policimin në Komunitet (SCPA), në bashkëpunim me Sektorin e Policimit në Komunitet të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në ceremoni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, dhe Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, të cilët dorëzuan certifikatat për ndihmës specialistët e angazhuar në Edukimin dhe Punën me të Rinjtë.

Hita: Siguria në shkolla mbetet prioritet për Policinë e Shtetit
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vlerësoi angazhimin e punonjësve të policisë në institucionet arsimore, duke theksuar rëndësinë e komunikimit dhe krijimit të një marrëdhënieje besimi me nxënësit dhe komunitetin.
Ai falënderoi drejtorin e Programit SCPA, Ansi Shundi, për organizimin e trajnimit, ndërsa përgëzoi punonjësit e policisë për punën e kryer gjatë gjithë vitit shkollor.
Sipas Hitës, punonjësit e angazhuar në këtë sektor nuk duhet ta kufizojnë rolin e tyre vetëm në zhvillimin e orëve edukative, por duhet të jenë një pikë referimi për nxënësit, ku ata të mund të drejtohen pa frikë për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje.
“Ju jeni përfaqësuesit e Policisë së Shtetit në marrëdhënien me brezin e ri. Roli juaj është thelbësor, sepse përmes komunikimit dhe edukimit ju ndihmoni në ndërtimin e një marrëdhënieje besimi mes Policisë dhe komunitetit”, u shpreh Hita.

Ai nënvizoi se edukimi i të rinjve për respektimin e ligjit, normave shoqërore dhe kundërshtimin e dhunës përbën një investim për të ardhmen, duke ndikuar në formimin e një brezi më të përgjegjshëm.
Ruseti: Rritja e numrit të grave në polici ndikon në besimin e të rinjve
Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, vlerësoi angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit në zbatimin e Paketës së Sigurisë në Shkolla, duke theksuar se siguria e fëmijëve kërkon bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët institucionale.
Ajo nënvizoi se puna me nxënësit nuk është vetëm një detyrim funksional dhe ligjor, por edhe një përgjegjësi njerëzore dhe familjare, duke qenë se bëhet fjalë për mbrojtjen e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre.
Ruseti u ndal gjithashtu te rëndësia e rritjes së numrit të grave dhe vajzave në radhët e Policisë së Shtetit. Sipas saj, prania e tyre në institucionet arsimore ka ndihmuar në krijimin e një komunikimi më të afërt me nxënësit dhe në lehtësimin e raportimit të problematikave.

Ajo vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet policisë, punonjësve socialë, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë në shkolla, duke e konsideruar këtë ndërveprim të rëndësishëm për identifikimin dhe trajtimin në kohë të rasteve shqetësuese.
“Help4You” në gjuhën shqipe, një mundësi e re për mbrojtjen e të rinjve në internet
Një ndër zhvillimet e rëndësishme të prezantuara në këtë aktivitet është edhe vënia në dispozicion e platformës “Help4You” në gjuhën shqipe.
Platforma, e krijuar nga Europol, është bërë e aksesueshme për nxënësit dhe të rinjtë shqiptarë falë bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Projektit Suedez për Policimin në Komunitet.
Përmes saj, të rinjtë do të kenë mundësi të informohen dhe të kërkojnë këshillim për situata të ndryshme dhune, rreziqe dhe shqetësime që mund të përjetojnë në mjedisin digjital.
Ky zhvillim merr rëndësi të veçantë në kushtet kur përdorimi gjithnjë e më i madh i internetit dhe rrjeteve sociale i ekspozon të miturit ndaj problematikave të ndryshme, duke e bërë të domosdoshëm informimin, ndërgjegjësimin dhe krijimin e mekanizmave të besueshëm për kërkimin e ndihmës.
Trajnimet synojnë koordinimin e institucioneve për sigurinë në shkolla
Drejtori i Programit SCPA, Ansi Shundi, shpjegoi se trajnimet janë fokusuar në njohjen e punonjësve të policisë me përmbajtjen, rolin dhe përgjegjësitë që burojnë nga Paketa Kombëtare e Sigurisë në Shkolla.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar përcaktimit të qartë të kompetencave dhe procedurave të ndërhyrjes, duke evidentuar se kur dhe si duhet të veprojë Policia, cilat janë përgjegjësitë e drejtuesve të shkollave, psikologëve dhe strukturave të tjera përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.
Gjithashtu, trajnimi ka synuar krijimin e kanaleve të shpejta dhe të qarta për referimin dhe raportimin e rasteve ndërmjet Policisë, institucioneve arsimore dhe prindërve.
Siguria në shkolla, parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e të miturve në mjedisin digjital mbeten ndër sfidat kryesore që kërkojnë bashkëpunim të vazhdueshëm institucional. Certifikimi i punonjësve të specializuar dhe prezantimi i platformës “Help4You” synojnë të forcojnë mekanizmat e ndërhyrjes, informimit dhe mbështetjes për nxënësit dhe të rinjtë.

