PEQIN , 19 nëntor 2026/Albania Express News/-Vijojnë takimet ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe konflikteve mes nxënësve në shkollat e bashkisë së Peqinit ku po zhvillohet një dialog mjaft interesant me të rinjtë .Komisar Larton Haxho dhe punonjësit e Komisariatit të Policisë së Peqinit po zhvillojnë aktivitete sensibilizuese në të gjithë territorin e kësaj bashkie dhe stacioni i rradhës së këtij dialogu ishte në gjimnazin “Zihni Magani”, me fokus sigurinë, parandalimin e bullizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Siguria në institucionet arsimore dhe krijimi i një mjedisi të qetë e të shëndetshëm për nxënësit vijojnë të jenë në fokus të angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit në qarkun e Elbasanit.
Në këtë kuadër, në qytetin e Peqinit, shefi i Komisariatit të Policisë, Komisar Larton Haxho, së bashku me punonjës të këtij Komisariati, zhvilluan një aktivitet ndërgjegjësues me nxënësit e gjimnazit “Zihni Magani”.

Takimi u organizua në formën e një bashkëbisedimi të drejtpërdrejtë me të rinjtë, ku në qendër të diskutimeve ishte rëndësia e garantimit të parametrave të sigurisë në shkolla, parandalimi i konflikteve dhe identifikimi në kohë i problematikave që mund të ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua fenomenit të bullizmit dhe bullizmit kibernetik, të cilat përbëjnë shqetësime për komunitetin shkollor. Përfaqësuesit e Policisë diskutuan me nxënësit mbi mënyrat e identifikimit të këtyre sjelljeve, pasojat që ato mund të shkaktojnë dhe rëndësinë e mosheshtjes përballë rasteve të dhunës apo intimidimit.
Gjatë aktivitetit u trajtuan gjithashtu çështje që lidhen me parandalimin e dhunës, ekstremizmit të dhunshëm dhe formave të tjera të sjelljeve që cenojnë sigurinë individuale dhe kolektive.
Përfaqësuesit e Policisë theksuan rëndësinë e ndërgjegjësimit të të rinjve për rreziqet që paraqesin këto fenomene, duke nënvizuar se parandalimi nis përmes informimit, edukimit, komunikimit dhe reagimit në kohën e duhur.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i bashkëbisedimit ishte forcimi i besimit dhe bashkëpunimit mes nxënësve dhe Policisë. Të rinjtë u sensibilizuan për domosdoshmërinë e raportimit të çdo rasti problematik dhe adresimit pranë strukturave përgjegjëse të shqetësimeve që mund të cenojnë sigurinë e tyre apo të bashkëmoshatarëve.
Takime të tilla synojnë të forcojnë kulturën e sigurisë në shkolla, të nxisin përgjegjësinë qytetare te brezi i ri dhe të krijojnë ura komunikimi mes institucioneve arsimore, nxënësve dhe strukturave ligjzbatuese.
Mesazhi kryesor është i qartë: Një shkollë e sigurt ndërtohet përmes bashkëpunimit, respektit të ndërsjellë, tolerancës dhe reagimit në kohë ndaj çdo forme dhune apo bullizmi.

