Zjarrfikësit e Cërrikut dhe bashkive fqinje në aksion 12 orë gjatë gjithë natës, profesionalizëm dhe sakrificë për të shpëtuar stanin në Shtërmen

Zjarrfikësit e Cërrikut dhe bashkive fqinje në aksion gjatë gjithë natës, profesionalizëm dhe sakrificë për të shpëtuar stanin në Shtërmen

CËRRIK , 17 nëntor 2026/Albania Express News/-Efektivët e Cërrikut, Elbasanit, Gramshit dhe Belshit luftuan pa ndërprerje me flakët deri në orën 05:30 të mëngjesit. Falë ndërhyrjes së koordinuar, u shmangën pasoja në njerëz dhe në gjënë e gjallë.

Një natë e gjatë, e vështirë dhe plot sfida për forcat zjarrfikëse, të cilat u vunë në vijën e parë të përballjes me një zjarr të përmasave të mëdha që përfshiu një stan blegtoral në fushën e Shtërmenit, në Njësinë Administrative Gostimë, Bashkia Cërrik.

Flakët shpërthyen mbrëmjen e së hënës dhe u përhapën me shpejtësi në ambientet ku mbahej bari i thatë, i destinuar për ushqimin e bagëtive. Sasia e madhe e materialit të djegshëm e bëri situatën veçanërisht të rrezikshme, duke kërkuar ndërhyrje intensive dhe një angazhim të gjatë të shërbimeve zjarrfikëse.

Në ndihmë të efektivëve të Cërrikut u mobilizuan edhe ekipet zjarrfikëse të Elbasanit, Gramshit dhe Belshit. Katër shërbime zjarrfikëse bashkuan forcat, mjetet dhe kapacitetet njerëzore në një operacion të vështirë, me objektiv neutralizimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit.

Një betejë që zgjati deri në orët e para të mëngjesit.

Efektivët zjarrfikës punuan pa ndërprerje gjatë gjithë natës, deri në orën 05:30 të mëngjesit, duke treguar përkushtim, qëndrueshmëri dhe profesionalizëm përballë rrezikut.

Fatmirësisht, falë ndërhyrjes së tyre, nuk pati persona të lënduar dhe as dëme në gjënë e gjallë. Megjithatë, flakët shkrumbuan bazat ushqimore të fermës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale për fermerin Endrit Pepa, i njohur në zonë për aktivitetin e tij blegtoral dhe fermën me rreth 1000 krerë dele.

Ngjarja ka marrë edhe reagimin e deputetit të Partisë Demokratike për Qarkun Elbasan, Blendi Himçi, i cili ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit. Himçi ka ngritur dyshime për një zjarr të mundshëm të qëllimshëm, duke kërkuar nga Policia e Shtetit dhe organet hetimore identifikimin e autorëve, nëse kjo pistë konfirmohet nga hetimet.

Deputeti i ka bërë gjithashtu thirrje Bashkisë Cërrik të shqyrtojë mundësinë e mbështetjes së fermerit përmes fondit të emergjencave, për përballimin e dëmeve të shkaktuara.

Në këtë ngjarje, vëmendjen kryesore e meriton puna e forcave zjarrfikëse. Përtej detyrës institucionale, efektivët e Cërrikut dhe kolegët e tyre nga bashkitë fqinje dëshmuan edhe një herë rëndësinë e solidaritetit ndërinstitucional, gatishmërisë dhe sakrificës njerëzore në përballimin e emergjencave.

Një falënderim dhe vlerësim i veçantë shkon për të gjithë efektivët që qëndruan në terren deri në orët e para të mëngjesit, duke punuar në kushte të vështira për të mbrojtur jetën, pronën dhe ekonominë e një familjeje fermere.

Sepse pas çdo ndërhyrjeje të suksesshme zjarrfikëse qëndrojnë njerëz që përballen me rrezikun, shpesh duke sakrifikuar orët e pushimit dhe duke vënë në provë forcën e tyre fizike e profesionale për sigurinë e komunitetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME