TIRANË , 9 nëntor 2026/Albania Express News/-Kur temperaturat janë ulur dhe vjeshta ka mbuluar me ngjyra peizazhin natyror në luginën e Langaricës, ujërat termale të Bënjës në Përmet vijojnë të tërheqin vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët zgjedhin këtë destinacion për të shijuar burimet natyrore dhe qetësinë që ofron zona.
Burimet termale të Bënjës përbëjnë një nga atraksionet më të njohura natyrore të Përmetit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ujërat termale të Bënjës, të frekuentuara nga turistët edhe gjatë kësaj fundjave nëntori.
Frekuentimi i tyre edhe gjatë vjeshtës i jep zonës një tjetër dimension turistik, pasi vizitorët mund të përjetojnë ndërthurjen e ujërave të ngrohta termale me freskinë e ajrit dhe atmosferën karakteristike të stinës së vjeshtës.
Përveç burimeve termale, vizitorët kanë mundësi të eksplorojnë edhe Urën historike të Kadiut, një monument i trashëgimisë kulturore, si dhe kanionin e Langaricës, i njohur për bukuritë natyrore, formacionet shkëmbore dhe peizazhet mbresëlënëse.
Burimet termale të Bënjës njihen për përbërjen e tyre minerale dhe përdorimin tradicional për relaksim. Ato janë një nga pasuritë natyrore që e kanë vendosur Përmetin në hartën e turizmit natyror dhe të mirëqenies.
Të frekuentuara në çdo stinë, ujërat termale të Bënjës dëshmojnë potencialin e kësaj zone për zhvillimin e turizmit përtej muajve të sezonit veror, duke e kthyer Përmetin në një destinacion që ofron përvoja natyrore gjatë gjithë vitit.
Ujërat Termale të Bënjës në Përmet po i nënshtrohen një procesi të gjerë rikualifikimi, me synim përmirësimin e infrastrukturës, sistemimin e hapësirave dhe krijimin e kushteve më të mira për vizitorët vendas dhe të huaj.
Projekti, i financuar nga qeveria shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, synon ta zhvillojë këtë pasuri natyrore në një destinacion turistik me standarde bashkëkohore, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin mjedisor dhe karakteristikat që e bëjnë Bënjën një prej atraksioneve më të veçanta të jugut të vendit.
Punimet ende nuk kanë përfunduar për kthimin e tyre në një zonë të vërtetë rekreative për të gjitha moshat

