Nga Klevis Liçi
GRAMSH , 7 nëntor 2026 / Albania Express News /-Një ditë e veçantë për futbollin gramshiot. Fitorja ndaj Tërbunit përkoi me inaugurimin zyrtar të fushës dhe stadiumit modern të rikonstruktuar, në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, së bashku me drejtuesit e pushtetit vendor.
Gramshi ka përjetuar një ditë feste, brenda dhe jashtë fushës së lojës. Skuadra vendase e ka kurorëzuar me fitore 2-0 ndaj Tërbunit javën e shtatë të Grupit A të Kategorisë së Dytë, në një takim që mori një rëndësi të veçantë edhe për shkak të inaugurimit zyrtar të stadiumit të rikonstruktuar.
Përpara tifozëve të pranishëm, Gramshi ka zhvilluar një paraqitje pozitive, duke marrë tri pikë të rëndësishme që e ngjisin në krye të renditjes. Golin e avantazhit vendasit e gjetën në minutën e 34-t me Raboshtën, ndërsa në minutën e 56-të Çukvuniere vulosi rezultatin përfundimtar 2-0.
Takimi u zhvillua në një atmosferë festive, në një ditë që shënon një moment të rëndësishëm për sportin në Gramsh. Përurimi i fushës dhe stadiumit modern të rikonstruktuar ishte një tjetër arsye për festë, duke i dhënë qytetit një infrastrukturë të re sportive dhe skuadrës kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve futbollistike.
Në ceremoninë inauguruese ishte i pranishëm Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, si dhe përfaqësues të drejtuesve të pushtetit vendor.
Fitorja ndaj Tërbunit merr kështu një vlerë të dyfishtë për Gramshin: tri pikë në kampionat, që e ngjisin në vendin e parë, dhe një ditë historike për futbollin e qytetit, që tashmë ka në dispozicion një stadium të rikonstruktuar.
Ndërkohë, java e shtatë në Grupin A solli edhe humbjen e parë të Vllaznisë B, e cila u mposht 2-0 nga Basania në derbi, duke i dorëzuar kreun Gramshit. Lushnja u ndal në një barazim pa gola ndaj Luzit, ndërsa Naftëtari fitoi 1-0 përballë Shirokës.
REZULTATET – GRUPI A, JAVA E 7
Naftëtari – Shiroka 1-0
Basania – Vllaznia B 2-0
Luzi – Lushnja 0-0
Gramshi – Tërbuni 2-0
Raboshta 34′ , Çukvuniere 56′
GRAMSHI NË KRYE, NË NJË DITË FESTE PËR FUTBOLLIN E QYTETIT!

