Elbasan / Finalizohet operacioni policor “Porosia”, i ndaluar Ervis Tivari dhe tre persona në kërkim për shpërthimin me eksploziv në automjetin e punonjëses së Bashkisë

ELBASAN , 7 nëntor 2026 / Albania Express News /-Policia e Elbasanit ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 5 nëntorit 2026, në lagjen “28 Nëntori”, ku një automjeti në pronësi të shtetases A. D. iu vendos lëndë plasëse, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme.

Në vijim të hetimeve intensive për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Porosia”.

Si rezultat i veprimeve hetimore, analizimit të pamjeve filmike dhe deklarimeve të administruara gjatë hetimit, policia ka arritur të dokumentojë me prova ligjore përfshirjen e disa personave në këtë ngjarje.

Në kuadër të operacionit është ndaluar shtetasi Ervis Tivari , 43 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se ka siguruar automjetin që është përdorur për realizimin e sulmit me lëndë plasëse.

Ndërkohë, tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim policor:

  • O. E., 36 vjeç, banues në Elbasan;
  • M. A., 33 vjeç, banues në Elbasan;
  • B. N., 17 vjeç, banues në Durrës.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se katër personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe realizuar vendosjen e lëndës plasëse në automjetin në pronësi të shtetases A. D.

Hetimet për identifikimin e porositësve dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë vijojnë.

Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për lokalizimin dhe kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave, motiveve dhe dinamikës së ngjarjes.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Operacioni “Porosia” shënon një tjetër zhvillim në hetimin e shpërthimit që tronditi lagjen “28 Nëntori” në Elbasan, ndërsa mbetet për t’u zbardhur plotësisht roli i secilit prej personave të dyshuar dhe motivi i këtij akti kriminal.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME