Elbasan, Instituti i Ndërtimit ngre alarmin për pallatin e dëmtuar nga shpërthimi i gazit: Rrezik shembjeje, banorët të qëndrojnë 30 metra larg

Elbasan  , 7 nëntor 2026 / Albania Express News /- Instituti i Ndërtimit ka dorëzuar raportin paraprak të vlerësimit teknik për pallatin e dëmtuar rëndë nga shpërthimi i gazit në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, duke paralajmëruar rrezik serioz për sigurinë e banorëve dhe personave që mund të afrohen pranë godinës.

Sipas konstatimeve paraprake të ekspertëve, shpërthimi, i shkaktuar nga përhapja e gazit të rrjedhur nga tubat e bombolës, i ndjekur nga zjarri, ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në strukturën e ndërtesës, duke prekur si elementet konstruktive, ashtu edhe ato jokonstruktive.

Shqetësimi më i madh lidhet me gjendjen e soletës së katit të pestë, mbi zonën ku ndodhi shpërthimi, e cila, sipas vlerësimit të inxhinierëve, paraqet rrezik shembjeje në çdo moment.

Instituti i Ndërtimit rekomandon evakuimin dhe ndalimin e përdorimit të godinës, deri në përfundimin e akt-ekspertizës së thelluar dhe përcaktimin e nivelit të sigurisë konstruktive të saj.

Në raport theksohet se gjendja aktuale përbën rrezik potencial jo vetëm për banorët e pallatit, por edhe për çdo person që mund të qëndrojë brenda ose në afërsi të tij.

Një tjetër rekomandim i rëndësishëm i ekspertëve është vendosja dhe zbatimi i një perimetri sigurie prej 20 deri në 30 metrash rreth objektit, me qëllim parandalimin e aksidenteve të mundshme nga rënia e elementeve të dëmtuara të ndërtesës.

Instituti kërkon gjithashtu kufizimin e plotë të aksesit në godinë dhe marrjen e masave të nevojshme në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse, për garantimin e sigurisë së banorëve dhe personave përreth.

Ndërkohë, vijojnë ekspertizat e thelluara teknike, të cilat përfshijnë investigime konstruktive, testime laboratorike të materialeve dhe analiza të specializuara për të përcaktuar aftësinë mbajtëse dhe qëndrueshmërinë e objektit.

Rezultatet përfundimtare të këtyre ekzaminimeve do të përcaktojnë shkallën reale të dëmtimeve dhe mundësinë e ndërhyrjeve për rikonstruksion apo nevojën për masa të tjera më të rënda.

Deri në daljen e konkluzioneve përfundimtare, situata mbetet shqetësuese dhe autoritetet duhet të garantojnë respektimin e perimetrit të sigurisë, pasi rreziku i shembjes së pjesëve të godinës konsiderohet serioz.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME