ELBASAN, 4 nëntor 2026 / Albania Express News – Shpërthimi i fuqishëm që tronditi mesditën e sotme një pallat në lagjen “Beqir Dardha”, në Elbasan, ka shkaktuar panik dhe frikë te banorët e zonës. Dëshmitarët okularë tregojnë se shpërthimi ishte aq i fortë, sa u dëgjua në një distancë të konsiderueshme dhe tronditi edhe banesat përreth.
Banorët që jetojnë pranë pallatit ku ndodhi ngjarja rrëfejnë momentet e tmerrit, duke e krahasuar zhurmën e shpërthimit me atë të një bombe.
“Jetoj te pallati tjetër. Ishte një shpërthim shumë i madh, si bombë. Nuk e di nëse ka të lënduar”, u shpreh një prej banorëve.
Një tjetër dëshmitar tregoi se menjëherë pas shpërthimit dolën nga banesat për të parë se çfarë kishte ndodhur.
“E dëgjuam shpërthimin, ishte diçka e madhe. Erdhëm këtu dhe pamë se ajo ishte shembur. Nuk e dimë se çfarë ka qenë. Erdhi policia dhe zjarrfikëset”, rrëfeu ai.
Edhe banorë të tjerë e përshkruan situatën si tepër të frikshme, duke theksuar se dëmet materiale janë të konsiderueshme.
“U trondit shtëpia, shumë i madh ishte shpërthimi. Ne po rrinim dhe thamë: ‘Çfarë u bë?’. Shumë e frikshme”, tregoi një tjetër banor.
Dëme të konsiderueshme, vijojnë ndërhyrjet në vendngjarje
Nga shpërthimi janë dëmtuar rëndë pjesë të apartamentit dhe të strukturës së ndërtesës, ndërsa situata ka vënë në alarm autoritetet dhe banorët e zonës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe strukturat e emergjencave, të cilat po ndërhyjnë për të përballuar situatën dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.
Dyshimet paraprake lidhen me shpërthimin e një bombole gazi, por shkaku i saktë i ngjarjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza përkatëse.
Ndërkohë, vëmendja kryesore është përqendruar te verifikimi i dëmeve në ndërtesë, evidentimi i personave të mundshëm të lënduar dhe garantimi i sigurisë për banorët.

