ELBASAN, 23 shtator 2026 /Albania Express News/- Elbasani ka marrë konfirmimin zyrtar për fitimin e titullit “European City of Sport 2027”, një vlerësim prestigjioz i akorduar nga ACES Europe, duke e vendosur qytetin në vëmendjen evropiane për kontributin dhe zhvillimin e sportit.
Ky titull përbën një moment të rëndësishëm për Elbasanin dhe komunitetin sportiv të qytetit, duke vlerësuar angazhimin në promovimin e sportit, mbështetjen e aktiviteteve sportive dhe punën e strukturave që kontribuojnë në zhvillimin e sportit në nivel vendor.
Lajmi është bërë i ditur nga Klubi Shumësportësh Elbasani, i cili ka shprehur vlerësimin për të gjithë aktorët që kanë kontribuar në këtë proces.

Drejtori i Përgjithshëm i Klubit Shumësportësh Elbasani, Artin Kovaçi, ka përcjellë falënderimet për Kryetarin e Bashkisë Elbasan, duke vlerësuar mbështetjen dhe vizionin e tij në zhvillimin e sportit në qytet.
Falënderime janë adresuar gjithashtu për Presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) për suportin e vazhdueshëm, si dhe për Zëvendësministrin e Kulturës dhe Sportit, për mbështetjen institucionale gjatë procesit të kandidimit dhe vlerësimit.
Një mirënjohje e veçantë i është kushtuar edhe stafit të Klubit Shumësportësh Elbasani, për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e bërë në funksion të këtij suksesi.

Një vit i veçantë për sportin elbasanas
Titulli “European City of Sport 2027” pritet t’i japë një dimension të ri aktiviteteve sportive në Elbasan gjatë vitit të ardhshëm, duke krijuar mundësi për promovimin e sportit, organizimin e aktiviteteve dhe përfshirjen më të gjerë të komunitetit.
Ky vlerësim vjen në një periudhë kur Elbasani synon të forcojë profilin e tij si një qytet me traditë të rëndësishme sportive dhe me potencial për të zhvilluar më tej infrastrukturën, aktivitetet dhe përfshirjen e të rinjve në sport.

Ceremonia zyrtare e marrjes së titullit do të zhvillohet në Bruksel pas disa javësh, ku Elbasani do të përfaqësohet në ceremoninë ndërkombëtare të dorëzimit të vlerësimit.
Për Elbasanin, ky është një moment krenarie dhe një përgjegjësi e re për ta kthyer vitin 2027 në një vit të rëndësishëm për sportin dhe komunitetin.
Elbasani – European City of Sport 2027! 💛💙🏆🇪🇺


