TIRANË, 17 shtator 2026 /Albania Express News/ – Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur këtë të enjte me një deklaratë të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fjalën hapëse, Peleshi e cilësoi vendimin si një zhvillim të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, jo vetëm për Kosovën, por edhe për kujtesën dhe historinë kombëtare shqiptare.
“Para se të fillojmë me rendin e ditës, dje Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën vendimin ndaj katër liderëve të UÇK-së. Ky vendim përbën një vendim të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, jo vetëm për Kosovën, por dhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare”, u shpreh kryetari i Kuvendit.
Peleshi bëri të ditur se Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë një deklaratë të përbashkët lidhur me vendimin e marrë në Hagë.
Sipas tij, deklarata është duke u finalizuar nga Komisioni për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme, ndërsa përmes saj Kuvendi do të përcjellë qëndrimin e tij për zhvillimin e fundit.
“Sot do të përcjellim një deklaratë të përbashkët nëpërmjet Kuvendit, ku do të shprehim mendimin e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vendim. Komisioni për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme po finalizon detajet e deklaratës”, tha Peleshi.
Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së është bërë kështu pjesë e diskutimeve në nisje të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa pritet qëndrimi i plotë institucional përmes deklaratës që do të publikohet pas finalizimit të saj.

