PD kërkon heqjen nga rendi i ditës të “Statusit të Magjistratëve”, Balla: Kërkesa është hipokrite

TIRANË, 17 shtator 2026 /Albania Express News/- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi në seancën e sotme plenare heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për “Statusin e Magjistratëve”.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi kundërshtoi mënyrën e trajtimit të çështjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar që projektligji t’i nënshtrohet një shqyrtimi më të specializuar në Këshillin e Legjislacionit.

“Ne s’mund të tallemi me trajtimin financiar të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Propozoj të hiqet nga rendi i ditës, t’ia kalojmë projektligjin për një opinion më të specializuar në Këshillin e Legjislacionit”, deklaroi Bardhi.

Kërkesa e opozitës u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai argumentoi se Kuvendi ka një praktikë të konsoliduar lidhur me procedurat që ndiqen për transpozimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Ballës, Këshilli i Legjislacionit e ka përfunduar shqyrtimin e tij dhe Kuvendi ka kërkuar gjithashtu opinionin e qeverisë për çështjen.

“Kuvendi i Shqipërisë, të paktën prej vitit 1998 e më këndej, ka një praktikë të konsoliduar sa i përket procedurës që ndjek në transpozimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se kërkesa e PD-së nuk mund të miratohej, pasi sipas tij, Këshilli i Legjislacionit e kishte përfunduar procedurën e shqyrtimit.

Balla e cilësoi gjithashtu si “hipokrite” kërkesën e opozitës, duke thënë se qëndrimi i PD-së në mbrojtje të trajtimit financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve përbën, sipas tij, një ndryshim në raport me qëndrime të mëparshme.

“Mua më vjen mirë që PD-ja del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse është një reflektim nga ato sharjet dhe fyerjet që bëni shpesh. Sot jemi këtu për të votuar një projektligj. Vota jonë ndaj kërkesës së PD-së është kundër, sepse kërkesa është hipokrite”, deklaroi Balla.

Në vijim, kërkesa e Partisë Demokratike për heqjen e projektligjit nga rendi i ditës u hodh në votim, por u rrëzua nga shumica.

Debati pritet të vijojë gjatë shqyrtimit të projektligjit, i cili lidhet me statusin dhe trajtimin financiar të magjistratëve, përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Egnatia mposht Partizanin, kampionët rikthehen te fitorja

RROGOZHINË, 20 shtator 2026 /Albania Express News/- Egnatia është...

Presheva në fokus të investimeve: Kurti dhe diaspora shqiptare diskutojnë për potencialin ekonomik të rajonit

PRESHEVË/SHBA, 20 shtator 2026 /Albania Express News/- Në kuadër...

Milani rikthehet te fitorja, mposht bindshëm Leccen dhe afrohet me kreun

MILANO, 20 shtator 2026 /Albania Express News/ – Milani...