Arrestohet Eno Agasi, kushëriri i Ergys Agasit – dyshohet se zhduku verë me vlerë miliona euro nga kantin

TIRANË, 16 shtator 2026 /Albania Express News/- Eno Agasi, kushëriri i Ergys Agasit, ka rënë në pranga këtë të mërkurë, pasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës.

Sipas të dhënave të bëra publike, ndaj Eno Agasit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, pasi dyshohet se ka zhdukur nga kantina e verës në pronësi të Ergys Agasit produkte me vlerë miliona euro.

Ergys Agasi ishte arrestuar disa javë më parë në zonën e Plepave në Durrës, ndërsa hetimet vijojnë për një sërë dyshimesh të lidhura me aktivitetin e kantinës dhe mallrat që gjendeshin në të.

Eno Agasi dyshohet se është përfshirë në veprat penale të kontrabandës së mallrave që i nënshtrohen akcizës, magazinimit të mallrave që paguajnë akcizë, si dhe veprimeve që kanë penguar zbardhjen e së vërtetës.

Në kuadër të hetimit, ai dyshohet gjithashtu se ka ndërhyrë në sistemin e kamerave të sigurisë së kantinës dhe ka fshirë pamjet, me qëllim, sipas hetuesve, pengimin e zbardhjes së ngjarjes.

Vera e rrallë që u zhduk nga kantina

Në qendër të hetimit është edhe një koleksion i rrallë verërash, i njohur si “Petrvs Pomedol”, i cili përfshinte shishe me vlera të konsiderueshme dhe disa ekzemplarë që datonin që nga viti 1922.

Koleksioni u zbulua gjatë një kontrolli të kryer nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të një hetimi për tendera të dyshuar si të manipuluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Gjatë kontrollit, autoritetet konstatuan se vera nuk kishte pulla fiskale dhe dyshohej se ishte futur në vend në mënyrë kontrabandë.

Për këtë arsye, Prokuroria njoftoi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e cila kreu inventarizimin e produkteve dhe përllogariti një dëm prej rreth 400 mijë eurosh ndaj buxhetit të shtetit, që lidhet me mospagimin e akcizës dhe detyrimeve të tjera.

Por situata mori një tjetër zhvillim.

Kur furgonët e Doganave u rikthyen në kantinë për të marrë verën dhe për ta transportuar drejt ambienteve të përcaktuara për ruajtjen e saj, autoritetet konstatuan se kantina ishte bosh.

Sasia e verës që ishte inventarizuar më herët nuk ndodhej më në ambientet e kantinës.

Hetuesit dyshojnë se zhdukja e koleksionit është kryer në mënyrë të organizuar, ndërsa ndërhyrja e pretenduar në sistemin e kamerave të sigurisë është një nga elementët që po shqyrtohen në kuadër të hetimit.

Arrestimi i Eno Agasit pritet të ndihmojë hetuesit për të hedhur më shumë dritë mbi mënyrën se si u zhduk koleksioni i verërave dhe personat që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Tirana–AF Elbasani, supersfida e javës së pestë në “Selman Stërmasi”, publikohen formacionet zyrtare

TIRANË, 20 shtator 2026 /Albania Express News/ – Tirana...

Rama: “Paketa e Maleve”, mënyra më e mirë për zgjerimin e agroturizmeve

TIRANË ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama...

Mbështetje edhe nga politika dhe institucionet vendore për Sopotin , Balla ,Mazniku , Salla ,Disha , Muzhaqi e Komici zbresin...

LIBRAZHD ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Atmosfera sportive në...