TIRANË, 16 shtator 2026 /Albania Express News/ – Bashkimi Evropian po zgjeron mbështetjen financiare për Shqipërinë në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm, me financime që pritet të mobilizojnë rreth 1,5 miliardë euro investime në total.
Sipas “Fichës së Energjisë – Shqipëria” të Komisionit Evropian, të përditësuar në fund të gushtit, që prej vitit 2021 BE ka ofruar 588 milionë euro në kuadër të nismës “Global Gateway”. Financimet synojnë të nxisin investime të mëtejshme, veçanërisht përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Energjia është ndër sektorët ku kjo mbështetje po konkretizohet përmes projekteve të rëndësishme në territorin shqiptar. Mes tyre përmenden parku fotovoltaik 50 MW në Belsh dhe impianti fotovoltaik lundrues në rezervuarin e Vaut të Dejës.
Parku fotovoltaik i Belshit, investim rreth 42 milionë euro
Një nga projektet konkrete është parku fotovoltaik në Belsh, me kapacitet të instaluar 50 MW dhe një vlerë investimi prej rreth 42 milionë eurosh.
Projekti përfshin një kredi prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe kontribut financiar të BE-së përmes WBIF.
Parku synon të rrisë prodhimin vendas të energjisë elektrike nga burimet diellore dhe të diversifikojë burimet e prodhimit të energjisë në Shqipëri. Një prej objektivave është edhe reduktimi i ekspozimit të sistemit energjetik ndaj luhatjeve të prodhimit hidroenergjetik.
Investimi merr një rëndësi të veçantë edhe për zonën e Dumresë dhe Belshit, duke e vendosur këtë territor në hartën e projekteve të mëdha të energjisë së rinovueshme.
Impianti lundrues në Vaun e Dejës
Një tjetër projekt i rëndësishëm është impianti fotovoltaik lundrues në Vaun e Dejës, me kapacitet 12,9 MW.
Sipas të dhënave të WBIF, vlera totale e investimit arrin në rreth 12,1 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 2,7 milionë euro janë grant, 7,48 milionë euro kredi nga BERZH dhe rreth 1,89 milionë euro kontribut kombëtar.
Impianti pritet të prodhojë më shumë se 18 GWh energji elektrike në vit, ndërsa parashikohet të shmangë rreth 8.700 tonë emetime CO₂ çdo vit.
Përdorimi i sipërfaqeve ujore për instalimin e paneleve fotovoltaike përbën një tjetër formë të shfrytëzimit të burimeve të rinovueshme në Shqipëri.
Rreth 680 milionë euro përmes IPA III
Për periudhën 2021–2027, BE ka angazhuar gjithashtu rreth 680 milionë euro asistencë financiare dhe teknike për Shqipërinë përmes instrumentit IPA III.
Në këtë paketë përfshihen 80 milionë euro të Pakos së Mbështetjes për Energjinë, të miratuar në vitin 2023, e cila synon familjet vulnerabël dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme, si dhe 50 milionë euro për energjinë e rinovueshme dhe eficiencën energjetike të ndërtesave.
Një tjetër instrument është Faciliteti për Reforma dhe Rritje (RGF), përmes të cilit Shqipërisë i është caktuar një alokim total prej 922,1 milionë eurosh për periudhën 2024–2027.
Deri në maj 2026, Shqipërisë i janë disbursuar 212,8 milionë euro nga ky instrument. Sipas Agjendës së Reformave, 127,9 milionë euro të këtij portofoli lidhen me sektorin e energjisë.
Pagesa e miratuar në maj 2026 ishte 49 milionë euro, duke e çuar shumën totale të disbursuar në 212,8 milionë euro.
Megjithatë, këto disbursime lidhen me përmbushjen e reformave të dakorduara me BE-në dhe nuk përbëjnë një fond të lirë për investime energjetike. Financimi kushtëzohet nga realizimi i hapave të përcaktuar në fusha si klima e biznesit, energjia, kapitali njerëzor, digjitalizimi dhe shteti i së drejtës.
Në këtë kuadër, projektet në Belsh dhe Vaun e Dejës janë pjesë e një portofoli më të gjerë evropian që synon modernizimin e sektorit energjetik shqiptar, rritjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme dhe uljen e emetimeve.

