“Ministri Salla: Skema e sigurimeve në bujqësi, mekanizëm i ri për mbrojtjen e fermerëve nga fatkeqësitë natyrore”

TIRANË, 27 gusht 2026 / Albania Express News/ – Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është në fazën përfundimtare të hartimit të një skeme të re sigurimesh në bujqësi, e cila synon të ofrojë mbrojtje më të madhe për fermerët shqiptarë përballë dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se puna për ngritjen e kësaj skeme është drejt përmbylljes, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të ri mbështetjeje dhe sigurie për sektorin bujqësor.

Sipas ministrit, nevoja për një instrument të tillë është evidentuar gjatë takimeve të zhvilluara me fermerë në të gjithë vendin, të cilët kanë ngritur shqetësime për pasojat që shkaktojnë në prodhim ngjarje të tilla si ngricat, breshëri, përmbytjet dhe zjarret.

“Për të gjithë ju fermerë me të cilët jam takuar në të gjithë vendin dhe që më keni ngritur shqetësimet tuaja për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, sot kam një lajm të mirë. Jemi në përmbyllje të ndërtimit të një skeme të sigurimeve në bujqësi, e cila do të krijojë një mekanizëm të ri mbështetjeje dhe mbrojtjeje për fermerët shqiptarë”, u shpreh Salla.

Mbështetje edhe për fermat e vogla

Skema e re synon të jetë e aksesueshme për kategori të ndryshme fermerësh, duke përfshirë si fermat e vogla familjare, ashtu edhe fermat më të mëdha.

Qëllimi është që fermerët të kenë një instrument financiar që u mundëson të përballojnë më lehtë pasojat e ngjarjeve të paparashikueshme, të cilat mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme në prodhim dhe të ardhura.

Një nga elementët kryesorë të skemës do të jetë mbështetja nga Buxheti i Shtetit për një pjesë të primit të sigurimit. Përmes këtij mekanizmi, synohet të reduktohet kostoja që do të duhet të përballojë vetë fermeri dhe të rritet numri i prodhuesve që mund të përfitojnë nga sigurimi.

“Fermeri nuk duhet të mbetet vetëm përballë një stuhie, një ngrice apo një zjarri që mund të dëmtojë punën e një viti të tërë”, deklaroi ministri.

Synohet më shumë siguri për sektorin bujqësor

Sigurimi i prodhimit bujqësor konsiderohet një instrument që mund të ndihmojë në rritjen e qëndrueshmërisë së fermave dhe në uljen e pasigurive që lidhen me kushtet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore.

Ministri Salla theksoi se përmes kësaj skeme synohet krijimi i një sektori bujqësor më të mbrojtur dhe më të përgatitur për risqet që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin dhe ekonominë e familjeve fermere.

“Me sigurimet në bujqësi, synojmë të krijojmë më shumë mbrojtje, më shumë siguri dhe më shumë qëndrueshmëri për fermerët, duke ndërtuar kështu një bujqësi shqiptare më të fortë dhe më të përgatitur për çdo sfidë”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, procesi i hartimit të skemës është pjesë e përpjekjeve për t’i kthyer problematikat e evidentuara gjatë takimeve në terren në masa konkrete mbështetëse për fermerët.

“Puna jonë vazhdon për t’i kthyer shqetësimet që na keni ngritur në zgjidhje konkrete”, përfundoi Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Dinamo “digjet” në fund, ekipi i Ilir Dajës mposhtet nga Pafos dhe i thotë lamtumirë ëndrrës europiane

TIRANË , 27 gusht 2026/Albania Express News/-Dinamo është eliminuar...

Evis Sala vlerësohet nga platforma ndërkombëtare, ministrja e Shëndetësisë mes 100 grave influencuese në onkologji

TIRANË , 27 gusht 2026/Albania Express News/-Ministrja e Shëndetësisë...