Akademia e Shkencave uron me rastin e ditëlindjes akademikun emeritus Rexhep Meidani për ditëlindjen

TIRANË ,18 gusht 2026/Albania Express News/-Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka përcjellë urimet për akademikun emeritus Rexhep Meidani, me rastin e ditëlindjes së tij, duke vlerësuar kontributin e tij në shkencë, akademi dhe jetën institucionale të vendit.

Në mesazhin e urimit, Akademia e Shkencave i uron Meidanit shëndet, mbarësi dhe vijim të sukseseve në veprimtarinë e tij shkencore dhe publike.

Rexhep Meidani, i lindur më 17 gusht 1944, është një nga figurat e njohura të shkencës shqiptare, me një karrierë të gjatë si fizikan, pedagog, studiues dhe akademik. Ai ka fituar gradat dhe titujt kryesorë shkencorë, nga doktorata deri te titujt “Profesor” dhe “Akademik”.

Meidani përfundoi shkollën e mesme dhe studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, në vitin 1966. Po atë vit nisi punën si pedagog në Katedrën e Fizikës të Universitetit të Tiranës.

Formimi i tij shkencor u thellua më tej në Francë, në Universitetin e Kanës dhe në Universitetin “Paris XI”, ku kreu studimet pasuniversitare dhe mbrojti doktoratën e ciklit të tretë në fizikën e trupave të ngurtë gjatë viteve 1973–1976. Më pas, në Shqipëri, përgatiti edhe një doktoraturë të dytë.

Përgjatë karrierës universitare, Meidani ka ushtruar disa funksione drejtuese, ndërsa ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e fizikës teorike, mekanikës kuantike, fizikës statistikore dhe fizikës së trupit të ngurtë.

Krahas veprimtarisë akademike, Rexhep Meidani ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në jetën publike dhe institucionale të Shqipërisë.

Në vitin 1991 ai drejtoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të para pluraliste. Në qershor të vitit 1997 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe, në korrik të po atij viti, u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë. Ai e ushtroi këtë detyrë deri në vitin 2002, gjatë një prej periudhave më të rëndësishme dhe të vështira të tranzicionit shqiptar.

Në aktivitetin e tij publik përfshihen gjithashtu angazhime në organizma dhe institucione ndërkombëtare. Gjatë viteve 1986–1990 ka qenë anëtar i Komitetit për Mirëkuptimin Ballkanik, ndërsa në periudhën 1994–1996 ka drejtuar Bordin e Qendrës Shqiptare të të Drejtave të Njeriut.

Në vitin 2003, Rexhep Meidani u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa në vitin 2015 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut.

Ai është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga disa universitete prestigjioze, ndër të cilat Universiteti Teknik i Stambollit, Universiteti “Aristoteli” i Selanikut, Universiteti i Sofjes, Universiteti Amerikan i Romës, Universiteti i Bridgeport-it në SHBA, Universiteti i Portsmouth-it në Angli dhe New York University Tirana.

Meidani është gjithashtu anëtar dhe anëtar nderi i disa institucioneve dhe organizmave brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa kontributi i tij është vlerësuar me “Çmimin e Republikës”, urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe me urdhra e medalje të akorduara nga institucione të vendeve të ndryshme.

Kryesia e Akademisë së Shkencave e cilëson akademik Rexhep Meidanin një nga mbështetësit e procesit të reformimit të Akademisë dhe një figurë me kontribut të rëndësishëm në shkencën dhe jetën publike shqiptare.

Me rastin e ditëlindjes së tij, Akademia e Shkencave i përcjell akademikut emeritus Rexhep Meidani urimet për shëndet, mbarësi dhe suksese të mëtejshme në veprimtarinë shkencore dhe publike.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME