Harta e re territoriale/ Bashkia Cërrik nis zyrtarisht konsultimet publike, kryebashkiaku Florenc Doka: “Vendimi duhet të ndërtohet mbi zërin e qytetarëve, jo mbi debatet politike”

CERRIK ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Ka nisur zyrtarisht procesi i konsultimit publik për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale në Bashkinë Cërrik. Pas mbërritjes së shkresës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka hyrë në fuqi periudha 60-ditore e konsultimit publik, gjatë së cilës qytetarët do të kenë mundësinë të japin mendimet dhe propozimet e tyre për hartën e re territoriale që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë Cërrik, Florenc Doka, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u ka bërë thirrje banorëve të marrin pjesë aktivisht në proces, duke theksuar se kjo reformë prek drejtpërdrejt të ardhmen e komunitetit dhe nuk duhet të shihet si një debat politik.

Sipas Dokës, Bashkia Cërrik ka marrë më 3 gusht 2026 shkresën nr. 3573, datë 31 korrik 2026, të Kuvendit të Shqipërisë, me të cilën nis zyrtarisht periudha 60-ditore e konsultimit publik për projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale.

Në këtë kuadër, në ditët në vijim do të organizohen takime konsultuese në qytetin e Cërrikut dhe në të gjitha njësitë administrative të bashkisë. Datat, oraret dhe vendet ku do të zhvillohen këto takime do të bëhen publike së shpejti.

Në mesazhin e tij, kryebashkiaku Doka thekson se konsultimi nuk duhet të fokusohet te ekzistenca apo jo e Bashkisë Cërrik si institucion, por te përfitimet konkrete që qytetarët mund të kenë nga çdo model i ri organizimi territorial.

Ai nënvizon se qytetarët duhet të informohen plotësisht përpara se të japin opinionin e tyre dhe se procesi duhet të shoqërohet me pyetje dhe përgjigje të qarta mbi ndikimin që reforma do të ketë në jetën e përditshme.

Mes çështjeve që Bashkia Cërrik synon të diskutojë gjatë konsultimeve janë:

  • nëse vazhdimi i Bashkisë Cërrik si njësi më vete garanton më shumë zhvillim ekonomik, investime dhe shërbime cilësore;
  • çfarë përfitojnë konkretisht banorët në rast të një modeli tjetër organizimi;
  • si do të përfaqësohet Cërriku në strukturat vendimmarrëse;
  • si do të ndahen fondet publike dhe investimet;
  • si dhe nëse njësitë e reja do të kenë kompetenca më të gjera apo ndryshimet do të kufizohen vetëm në aspektin administrativ.

“Ky nuk është një konsultim për fatin e një kryetari bashkie. Është një konsultim për të ardhmen e komunitetit tonë”, shprehet Doka, duke kërkuar që debati të zhvillohet me qetësi, respekt dhe përgjegjësi.

Ai fton qytetarët të marrin pjesë në çdo takim, të bëjnë pyetjet e tyre, të japin propozime dhe të dëgjojnë argumentet, duke garantuar se në përfundim të procesit, qëndrimi zyrtar i Bashkisë Cërrik do të ndërtohet mbi mendimin dhe zërin e qytetarëve.

Ndërkohë, kryebashkiaku siguron se puna e administratës vendore do të vijojë normalisht gjatë kësaj periudhe konsultimi. “Kemi 500 punë për të bërë”, shkruan ai, duke theksuar se procesi i reformës nuk do të ndikojë në vijimin e investimeve dhe shërbimeve për komunitetin.

Edhe Maliqi nis konsultimet

Paralelisht me Cërrikun, edhe Bashkia Maliq ka nisur konsultimet publike për projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Sipas draftit të publikuar, Bashkia Maliq parashikohet të bashkohet me Bashkinë Korçë.

Këshilli Bashkiak Maliq ka miratuar kalendarin e takimeve konsultuese, të cilat do të zhvillohen nga 13 deri më 19 gusht në njësitë administrative Libonik, Pojan, Pirg, Vreshtas, Gorë, Moglicë, si edhe në qytetin e Maliqit.

Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve, përfaqësuesve të biznesit, institucioneve dhe grupeve të interesit të marrin pjesë aktivisht në proces, me synimin që vendimmarrja për reformën e re administrativo-territoriale të jetë sa më transparente, gjithëpërfshirëse dhe e mbështetur në opinionin e komuniteteve lokale.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Flakët pranë Athinës, në paraburgim kryebashkiaku i Stylidës, akuzohet për zjarrvënie

ATHINË ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Autoritetet greke...

Pagat e magjistratëve, PS propozon rritje minimale pas vendimit të Kushtetueses

TIRANË ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Në limitin...