KF Egnatia luan për miliona ndaj Shamrok Rovers, në “Arena Egnatia” zhvillohet ndeshja më e shtrenjtë në historinë e klubit

RROGOZHINË ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-KF Egnatia do të zbresë në fushë më 13 gusht në një nga sfidat më të rëndësishme të historisë së saj, teksa do të presë irlandezët e Shamrok Rovers në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Europës. Përballja nuk ka vetëm vlerë sportive, por edhe financiare, pasi në lojë janë miliona euro që mund të ndryshojnë ndjeshëm të ardhmen e klubit rrogozhinas.

Pas humbjes 3-1 në ndeshjen e parë në transfertë, kampionët e Shqipërisë do të duhet të realizojnë një përmbysje të madhe për të siguruar kalimin në fazën “play-off” të Ligës së Europës. Edhe pse misioni është i vështirë, Egnatia vazhdon të besojë se mund të shkruajë historinë para tifozëve të saj.

Sipas raportimit të “Panorama Sport”, kualifikimi në raundin e ardhshëm do t’i siguronte klubit edhe 1.47 milionë euro të tjera nga fondet e UEFA-s. Kjo e bën sfidën ndaj Shamrok Rovers po aq të vlefshme sa edhe përballjen e mëparshme me Celjen, duke e kthyer në një nga ndeshjet me peshën më të madhe financiare në historinë e Egnatias.

Deri në këtë fazë të aventurës europiane, klubi rrogozhinas ka siguruar rreth 1.7 milionë euro nga shpërblimet e UEFA-s, një shumë që mbetet e garantuar pavarësisht rezultatit të kësaj sfide dhe e cila nuk përfshin të ardhurat nga sponsorët apo të drejtat televizive.

Megjithatë, skenari ndryshon ndjeshëm nëse Egnatia arrin të eliminojë Shamrok Rovers. Kualifikimi në “play-off” të Ligës së Europës do t’i garantonte automatikisht pjesëmarrjen të paktën në fazën e ligës së Ligës së Konferencës, duke bërë që përfitimet financiare nga UEFA të ngjiten në 3.17 milionë euro.

Nga ana tjetër, ëndrra më e madhe mbetet kualifikimi në fazën e ligës së Ligës së Europës. Në këtë rast, të ardhurat nga UEFA do të arrinin në 4.31 milionë euro, një shifër rekord për klubin dhe një sukses me ndikim të madh ekonomik e sportiv.

Edhe në rast se Egnatia nuk arrin të kalojë Shamrok Rovers, rruga drejt fazës së ligës së Ligës së Konferencës mbetet ende e hapur, pasi skuadra do të kishte mundësinë të luante në “play-off”-in e këtij kompeticioni.

Vlen të theksohet se llogaritjet aktuale prej 1.7 milionë eurosh vlejnë vetëm deri në fazën aktuale. Në momentin që Egnatia siguron kualifikimin në fazën e ligës së një prej dy kompeticioneve europiane, kjo shumë zëvendësohet me shpërblimin përkatës, që do të ishte 3.17 milionë euro për Ligën e Konferencës ose 4.31 milionë euro për Ligën e Europës.

Për rrjedhojë, ndeshja e 13 gushtit në “Arena Egnatia” nuk do të jetë vetëm një betejë për vazhdimësinë në Europë, por edhe një sfidë me vlerë miliona euro, që mund të shënojë kapitullin më të rëndësishëm financiar në historinë e klubit kampion të Shqipërisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME