LIBRAZHD ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të premte në rrjetet sociale pamje nga ecuria e punimeve në aksin kombëtar Elbasan–Qafë Thanë, duke e cilësuar projektin si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për juglindjen e vendit.
Përmes fotografive të shpërndara, kreu i qeverisë thekson se punimet po vijojnë me ritme të larta dhe se, pas përfundimit, aksi do ta bëjë lidhjen e Korçës dhe të gjithë rajonit të juglindjes me pjesën tjetër të Shqipërisë më të shpejtë, më të sigurt dhe më moderne.
Në mesazhin e tij, Rama shkruan:
“MIRËMËNGJES dhe me punimet që vijojnë me ritme të larta në aksin Elbasan–Qafë Thanë, një investim që do ta bëjë lidhjen e Korçës dhe gjithë juglindjes me pjesën tjetër të vendit më të shpejtë, më të sigurt dhe më moderne, ju uroj një ditë të mbarë.”
Megjithatë, ndërsa qeveria e paraqet projektin si një investim strategjik për zhvillimin e vendit, në disa zona të Bashkisë së Librazhdit situata shihet ndryshe nga banorët.
Prej ditësh, banorët e Mirakës dhe të fshatrave të tjerë të Njësisë Administrative Polis kanë ngritur shqetësimin se projekti i ri rrugor, sipas tyre, po i lë pa lidhje funksionale me qendrën urbane të Librazhdit. Ata pretendojnë se mungesa e hyrje-daljeve dhe e zgjidhjeve alternative po e vështirëson ndjeshëm lëvizjen e përditshme, duke ndikuar në aksesin drejt shkollave, qendrave shëndetësore, bizneseve dhe shërbimeve të tjera.
Si shenjë kundërshtimi, banorët kanë paralajmëruar zhvillimin e një proteste masive duke nisur nga dita e hënë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse dhe rishikimin e projektit për të garantuar lidhjen e fshatrave me rrugën kombëtare.
Të njëjtin shqetësim kanë shprehur edhe banorët e Dardhës dhe Xhyrës, në Njësinë Administrative Hotolisht, të cilët deklarojnë se konfigurimi i ri i aksit rrezikon t’i izolojë edhe më shumë nga qendra e bashkisë dhe nga rrjeti kryesor rrugor.
Banorët kërkojnë që përpara përfundimit të investimit të merren masa konkrete për ndërtimin e hyrje-daljeve, rrugëve lidhëse dhe zgjidhjeve të tjera teknike që, sipas tyre, do të shmangnin izolimin e komuniteteve.
Ndërsa punimet në aksin Elbasan–Qafë Thanë vijojnë me ritme intensive, duket se krahas progresit të projektit po shtohen edhe debatet mes përfitimeve që sjell ky investim në nivel kombëtar dhe problematikave që, sipas banorëve të zonave të prekura, po krijohen në jetën e tyre të përditshme. Situata pritet të marrë zhvillime të reja në fillim të javës së ardhshme, kur banorët kanë paralajmëruar daljen në protestë.







