Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi nderon katër gjyqtarë veteranë në Seminarin e FIFA-s: “Trashëgimia e tyre do të vazhdojë përmes edukimit të brezave të rinj”

KOSOVË ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se në hapje të Seminarit të FIFA-s për gjyqtarët është zhvilluar një ceremoni e veçantë vlerësimi për katër emra të njohur të referimit kosovar, të cilët kanë mbyllur karrierën e tyre aktive pas shumë vitesh shërbimi në futboll.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ademi bëri me dije se, në praninë e komunitetit të referimit, u shpreh mirënjohja më e thellë për referin kryesor Burim Jahmurataj dhe referët asistentë Bujar Selimaj, Besnik Morina dhe Fatlum Berisha, të cilët i kanë dhënë fund angazhimit të tyre në fushën e gjykimit.

Sipas Presidentit të FFK-së, katër arbitrat kanë shërbyer për vite me radhë me profesionalizëm, integritet dhe dinjitet, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit të Kosovës dhe duke lënë pas një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm të gjyqtarëve.

Në mesazhin e tij, Agim Ademi i falënderoi ata në emrin e tij personal dhe në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës për përkushtimin, sakrificat dhe punën e palodhur ndër vite, duke theksuar se kanë qenë shembull i profesionalizmit dhe kanë përfaqësuar me dinjitet referimin kosovar si në arenën vendase, ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

Presidenti i FFK-së nënvizoi se largimi i tyre nga fusha nuk do të thotë shkëputje nga futbolli. Përkundrazi, ai bëri të ditur se përvoja dhe ekspertiza e tyre do të vazhdojnë të jenë në shërbim të futbollit, pasi ata do të marrin role të reja zhvillimore në edukimin, mentorimin dhe avancimin e gjeneratave të reja të gjyqtarëve.

“Jam veçanërisht i lumtur që përvoja e tyre nuk do të humbasë. Ata do të vazhdojnë të jenë pjesë e familjes së referimit, duke kontribuar në formimin dhe zhvillimin e arbitrave të rinj”, u shpreh Ademi në mesazhin e tij.

Në përfundim, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës u uroi katër ish-gjyqtarëve shëndet, suksese dhe arritje të reja në kapitullin e ri të angazhimit të tyre, duke theksuar se kontributi i tyre do të mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së referimit kosovar dhe një frymëzim për brezat që do të vijnë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME