TIRANË ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Partia Demokratike ka reaguar ndaj rregullores së re të miratuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke shprehur shqetësim për dispozitat që lidhen me aksesin dhe punën e gazetarëve në ambientet e gjykatës.
Përmes zëdhënëses Floriana Garo, PD deklaroi se mbështet pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe sigurinë e proceseve gjyqësore, por thekson se këto parime nuk duhet të përdoren për të kufizuar transparencën.
“Solemniteti i proceseve gjyqësore nuk mund të shndërrohet në censurë dhe pavarësia e drejtësisë nuk mund të nënkuptojë liri nga kontrolli i publikut”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.
Sipas PD-së, disa pika të rregullores së re ngrenë shqetësime serioze, veçanërisht ato që lidhen me detyrimin e mundshëm të gazetarëve për të aplikuar paraprakisht për ndjekjen e seancave gjyqësore dhe kufizimet për përdorimin e pajisjeve elektronike.
Partia Demokratike kundërshton ndalimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike për gazetarët, duke argumentuar se ato janë mjete pune për komunikimin me redaksitë, mbajtjen e shënimeve dhe raportimin në kohë reale.
PD ka ngritur pikëpyetje edhe për sistemin “media pool”, i cili parashikon që pamjet nga procese me interes të lartë publik të sigurohen përmes infrastrukturës së gjykatës. Sipas kësaj force politike, ky mekanizëm duhet të garantojë pluralizëm dhe nuk duhet të kthehet në kontroll të informacionit nga vetë institucioni që raportohet.
Në reagim thuhet gjithashtu se përdorimi i koncepteve të gjera si “cenimi i dinjitetit”, të shoqëruara me masa si pezullimi ose heqja e akreditimit, mund të krijojë hapësira për kufizime ndaj medias.

