TIRANË, 05 gusht 2026 /Albania Express News/- Në fshatrat Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës vijon ende të mbetet problematike situata e zjarreve.
Gjatë orëve të pasdites flakët kanë përparuar me shpejtësi në masivet pyjore duke djegur pisha.
Kryetari i bashkisë së Mallakastrës theksoi se Qerim Ismailaj në një prononcim për mediet tha se vihet re zgjerim i vatrës.
“Ndërhyrja ka qenë sfiduese për shkak të disa faktorëve si terreni, era, temperaturat dhe bimësia. Momentalisht, do të vijojë monitorimi i situatës dhe ndërhyrja nga ajri rinis të enjten herët në mëngjes”, tha Ismailaj.
Kryebashkiaku Ismailaj u shpreh se “ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të vështirë kodrinor, që është i vështirë, për të ndërhyrë me mjete tokësore, era e fortë, temperaturat e larta dhe bimësia që favorizon përhapjen e flakëve, janë pisha”.
“Sot kanë operuar rreth 110 forca në terren, por pavarësisht kësaj kemi përhapje në Ngraçan. Forcat në terren do të kalojnë në monitorim për momentin nëse ka problematika të theksuara dhe nesër në 05:30 do të fillojmë ndërhyrjen nga ajri”, tha Ismailaj.
Deputeti i Partisë Socialiste në Mallakastër, Klevis Jahaj u bëri thirrje banorëve për vigjilencë e kujdes në këtë situatë të vështirë.
“U bëj thirrje qytetarëve të kenë kujdes, të jenë vigjilentë për pronën dhe jetën e tyre, të dëgjojnë autoritetet sipas udhëzimeve që u jepen në kushtet kur do të ketë nevojë për evakuime të mundshme”, tha Jahaj.

