Shuhet një emër i madh i futbollit librazhdas, ndërron jetë ish-kapiteni dhe ish-trajneri i Sopotit, Besnik Çota

LIBRAZHD ,05 gusht 2026/Albania Express News/-Sporti librazhdas është në zi. Mbrëmjen e kësaj të mërkure është ndarë nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, Besnik Çota, ish-kapiteni dhe ish-trajneri i Sopotit të Librazhdit, një prej figurave më të respektuara në historinë e klubit.

Besnik Çota ndërroi jetë në një spital në Tiranë, ku po merrte trajtim mjekësor. Prej vitesh ai përballej me një sëmundje të rëndë dhe kishte kaluar një periudhë të gjatë nën trajtim me dializë, duke luftuar me shumë forcë dhe dinjitet.

Lajmi i hidhur ka tronditur familjarët, miqtë, ish-bashkëlojtarët, sportdashësit dhe gjithë komunitetin e Librazhdit, ku Çota gëzonte respekt të jashtëzakonshëm si sportist dhe si njeri.

Besnik Çota ishte një nga futbollistët më të spikatur që ka nxjerrë Sopoti i Librazhdit. Ai u dallua si një mesfushor organizator me cilësi të larta teknike, vizion loje dhe aftësi drejtuese në fushë, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të viteve ’90. Si kapiten i skuadrës, ai udhëhoqi Sopotin në shumë sfida të rëndësishme dhe mbetet një nga emrat që ka lënë gjurmë në historinë e futbollit librazhdas.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Çota nuk u shkëput nga futbolli. Ai iu përkushtua profesionit të trajnerit, duke punuar për shumë vite me ekipet zinxhir të Sopotit dhe më pas edhe me ekipin e parë. Me përkushtimin dhe eksperiencën e tij kontribuoi në edukimin dhe formimin e shumë brezave të rinj futbollistësh, të cilët e kujtojnë si një trajner të urtë, korrekt dhe të përkushtuar.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe jo vetëm për familjen, por edhe për futbollin e Librazhdit dhe sportin shqiptar, pasi Besnik Çota ishte një figurë që i dha shumë klubit të zemrës dhe komunitetit sportiv.

Familjes Çota, të afërmve dhe gjithë komunitetit sportiv të Librazhdit u shprehen ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë.

U prehtë në paqe, Besnik Çota. Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së Sopotit dhe futbollit librazhdas.

Redaksia e Albania Express News shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të ish-kapitenit dhe ish-trajnerit të Sopotit të Librazhdit, Besnik Çota.

Me largimin e tij, futbolli librazhdas humbi një prej figurave më të spikatura, një sportist që i shërbeu me përkushtim dhe dinjitet ekipit të Sopotit, si në fushën e blertë, ashtu edhe në pankinë si trajner.

Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Çota, të afërmve, miqve, ish-bashkëlojtarëve dhe gjithë komunitetit sportiv të Librazhdit.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!

Redaksia e Albania Express News

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Aksident me vdekje në Durrës, këmbësori humb jetën pasi përplaset nga një makinë

DURRËS ,05 gusht 2026/Albania Express News/-Një aksident i rëndë...

Zjarri në Mallakastër, kryebashkiaku Ismailaj: Nesër rinis ndërhyrja nga ajri

TIRANË, 05 gusht 2026 /Albania Express News/- Në fshatrat...

Themelohet “Fincantieri Albania”, Nufi: Investim për zhvillimin e industrisë detare

Ministri Nufi gjatë nënshkrimit të aktit të themelimit të...