TIRANË ,05 gusht 2026/Albania Express News/-Deri më sot në Shqipëri janë krijuar 33 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor, një model që synon të forcojë bashkëpunimin mes fermerëve, të rrisë investimet dhe konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet evropiane.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri të ditur sot se shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor po sjellin një qasje të re për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, duke u krijuar fermerëve mundësinë të bashkëpunojnë, të ulin kostot e prodhimit, të investojnë dhe të rrisin vlerën e produkteve “Made in Albania”.
Koçiu theksoi se përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2026, Qeveria shqiptare financon deri në 100% Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, duke nxitur fermerët të bashkojnë forcat për të zhvilluar aktivitetin e tyre dhe për t’iu afruar standardeve të Bashkimit Evropian.
Sipas saj, ky model bashkëpunimi krijon më shumë mundësi për modernizimin e sektorit bujqësor, rritjen e produktivitetit dhe fuqizimin e fermerëve, duke e bërë bujqësinë shqiptare më konkurruese në tregun evropian.
“Suksesi nuk ndërtohet vetëm. Ai vjen kur bashkojmë forcat, investojmë te bashkëpunimi dhe ndajmë të njëjtin vizion për zhvillimin e bujqësisë shqiptare”, u shpreh Koçiu.
Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, Koçiu thekoi se shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, janë një nga instrumentet më të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Shqipëri.
“Kemi ujë, kemi klimë, kemi tokë të mirë dhe fermerë që punojnë nga mëngjesi në mbrëmje. Por puna e mirë nuk mjafton kur je vetëm, kur je vetëm plehun e blen më shtrenjtë, çmimin ta vendos tregtari, kur je vetëm kostot e makinerive nuk i përballon dot, kur je vetëm standardet e Europës janë shumë larg. Ama, kur bashkoheni ndryshon gjithçka. SHBB janë ato që bashkojnë forcat, kostot ulen me 30%, prodhimi rritet, investoni bashkë në prodhim, magazinim dhe del në treg si një zë i vetëm, jo si 10 zëra të vegjël. Dhe të jemi të qartë: toka mbetet e jotja, ferma mbetet e jotja, askush nuk të merr asgjë. Ju bashkoni vetëm forcën, jo pronën”, u shpreh zv.kryeministrja.
Koçiu deklaroi se kur je i organizuar dyert e fondeve të BE hapen shumë më lehtë. “Rruga jonë është nga fermeri i vetëm, tek fuqia e bashkimit; nga prodhimi tek vlera e shtuar; nga mbështetja tek investimi; nga tregu i fshatit tek ai i BE”, përfundoi ajo.

