Rama: Avioni i parë zjarrfikës nis operacionet, forcë e shtuar për përballimin e zjarreve

TIRANË, 05 gusht 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga operacionet për shuarjen e zjarreve në vend, duke vlerësuar angazhimin e forcave në terren dhe nisjen e aktivitetit të avionit të parë zjarrfikës.

Rama u shpreh se avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar për përballimin e situatës gjatë muajit gusht, duke theksuar se vendi është më i përgatitur për përballimin e rrezikut nga zjarret.

“Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e të përgatitur se asnjëherë më parë por edhe plotësisht të vetëdijshëm, për largqoftë rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës aktualisht”, deklaroi Rama.

Kryeministri shprehu gjithashtu respekt dhe mirënjohje për të gjitha forcat e angazhuara në terren për përballimin e situatës.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive.

Operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre po zhvillohen me angazhimin e 182 forcave operacionale, 19 automjeteve zjarrfikëse, 3 helikopterëve dhe 1 avioni të Forcës Ajrore.

Ndërhyrjet janë përqendruar në zonën e Dajtit, në fshatin Riban të Mallakastrës, Shqiponjë të Prrenjasit, Vërzhezhë të Skraparit, Krekëz në Himarë, si dhe në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull.

Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME