ELBASAN , 05 gusht 2026 / Albania Express News /-Politika mund të presë… të paktën gjatë pushimeve verore. Deputetja e Elbasanit, Sara Mila, ka vendosur të ndërrojë për pak orë sallën e Kuvendit me banakun e një prej byrektoreve më të njohura të qytetit , duke u shpallur me humor si “punonjësja më e re” e byrektores së Kujtimit dhe Shpresës.
Në një postim në rrjetet sociale, deputetja rrëfen se provoi nga afër “zanatin” e përgatitjes së bugaçeve të famshme të Elbasanit dhe më pas u shërbeu klientëve, të cilët mbetën të surprizuar kur panë deputeten pas banakut në vend të foltores.
“Zyrtarisht, jam punonjësja më e re e byrektores së Kujtimit dhe Shpresës”, shkruan ajo me nota humori, duke treguar se mëngjesi kaloi mes të qeshurave, bisedave të ngrohta dhe atmosferës karakteristike që e bën këtë vend një pikë takimi për elbasanasit.
Me sa duket, gjatë pushimeve verore, “mandati” mund të zëvendësohet pa problem me përparësen e punës, ndërsa votat… me bugaçet e sapopjekura.
Sara Mila vlerëson se byrektorja nuk është vetëm një vend ku hahet mëngjesi, por një institucion i vogël qytetar, ku çdo ditë nisin bisedat e para, shkëmbehen lajme, urime dhe buzëqeshje, duke mbajtur gjallë traditën dhe shpirtin e Elbasanit.
Në fund, deputetja nuk harron as “ftesën zyrtare” për të gjithë adhuruesit e bugaçeve: kushdo që i është hapur oreksi, mjafton të marrë rrugën drejt Elbasanit, ku çdo mëngjes deri në orën 11:00 e pret shija që, siç duket, ka fituar edhe zemrën e “punonjëses” më të re të byrektores.


