Divjaka ngrihet në protestë kundër reformës territoriale, qytetarët dhe kryebashkiaku kundërshtojnë bashkimin me Lushnjën

NGA SARA TARKO

DIVJAKË ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Qindra qytetarë të Divjakës u mblodhën mbrëmjen e së shtunës në sheshin kryesor të qytetit për të protestuar kundër reformës së re administrativo-territoriale, e cila parashikon bashkimin e Bashkisë Divjakë me Bashkinë Lushnjë. Protestuesit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit, duke kërkuar që Divjaka të vijojë të mbetet një bashki më vete.

Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorreja, i cili u rreshtua në krah të qytetarëve dhe deklaroi se Divjaka plotëson të gjitha kriteret për të vazhduar të funksionojë si një njësi vendore e pavarur. Sipas tij, bashkia ka potencial ekonomik, turistik, bujqësor dhe administrativ që justifikon ruajtjen e statusit aktual.

Gjatë tubimit, dhjetëra banorë morën fjalën për të shprehur shqetësimet e tyre, duke theksuar se bashkimi me Lushnjën do të zbehte identitetin e Divjakës dhe do të ndikonte negativisht në përfaqësimin e komunitetit, ofrimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e zonës. Ata kërkuan që qeveria të dëgjojë zërin e banorëve përpara se të marrë një vendim përfundimtar mbi reformën.

Në mbështetje të protestës ishin të pranishëm edhe deputetët e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi dhe Brunilda Haxhiu, si dhe ish-deputetja Ilda Dhori, të cilët deklaruan se do të mbështesin kërkesën e qytetarëve për të mos lejuar shkrirjen e Bashkisë Divjakë.

Protesta në Divjakë vjen në një kohë kur kundërshtimet ndaj reformës territoriale po shtohen në disa bashki të vendit, ku qytetarët dhe drejtuesit vendorë kërkojnë rishikimin e hartës së re administrative dhe ruajtjen e autonomisë së bashkive që, sipas tyre, kanë kapacitet të funksionojnë në mënyrë të pavarur.

Aktualisht, Bashkia Divjakë përbëhet nga pesë njësi administrative: Divjakë, Tërbuf, Gradishtë, Grabjan dhe Remas, duke përfshirë në territorin e saj 36 fshatra dhe qytetin e Divjakës. Sipas Censusit 2023, bashkia numëron rreth 25.900 banorë rezidentë, ndërsa sipas të dhënave të gjendjes civile popullsia arrin në rreth 56.800 banorë. Protestuesit argumentojnë se këto të dhëna, së bashku me rëndësinë ekonomike dhe turistike të zonës, janë arsye të forta që Divjaka të mos shkrihet në një bashki më të madhe.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME