ELBASAN ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Shoqata Patriotike “Çamëria”, Dega Elbasan, hapi një kapitull të ri të veprimtarisë së saj, duke zhvilluar Kuvendin Zgjedhor në një atmosferë të karakterizuar nga pjesëmarrja e gjerë e komunitetit çam që jeton në bashkinë e Elbasanit. Takimi u kthye në një manifestim të unitetit, kujtesës historike dhe angazhimit për forcimin e organizimit të kësaj shoqate, e cila prej dekadash mban gjallë kauzën kombëtare të Çamërisë.
Në qendër të Kuvendit ishte procesi i riorganizimit të degës, ndërsa të pranishmit theksuan se sfidat e së kaluarës dhe padrejtësitë historike ndaj komunitetit çam mbeten ende të hapura, duke e bërë edhe më të rëndësishme forcimin e strukturave organizative.

Kuvendi u përshëndet nga intelektuali i njohur i komunitetit, Ahmet Mehmeti, i cili vlerësoi rëndësinë e zgjedhjeve të reja dhe nevojën për një organizim më të fortë të shoqatës.
“Sot jemi mbledhur në Kuvendin Zgjedhor të Shoqatës ‘Çamëria’, ku na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre figura të shquara të komunitetit çam. Ky është një moment i rëndësishëm për të forcuar zërin tonë dhe për të vijuar betejën për të drejtat tona”, u shpreh Mehmeti.
Ai ndaloi veçanërisht te padrejtësitë historike që, sipas tij, komuniteti çam vazhdon të përjetojë.

“Familjet tona nuk mund të shkojnë ende sot në trojet e tyre në Çamëri. Kjo është një plagë e hapur që nuk mund të harrohet dhe që kërkon angazhim të vazhdueshëm”, theksoi ai.
Në Kuvend morën pjesë edhe figura të njohura të komunitetit çam, mes tyre Lutfi Saqa, Tahir Muhedini, Agim Seiti dhe Osman Dautaj, të cilët vlerësuan rëndësinë e riorganizimit të shoqatës në të gjithë vendin.
Një nga fjalimet më të forta ishte ai i Tahir Muhedinit, president nderi i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe një prej figurave historike të lëvizjes për çështjen çame. Muhedini kujtoi fillimet e angazhimit për këtë kauzë në vitet e para të demokracisë.

“Gjatë fillimeve të jetës demokratike, në fillim të viteve ’90, një grup njerëzish filluam të angazhoheshim për kauzën, si pjesë e një amaneti të trashëguar nga të parët tanë dhe si peng i prindërve tanë, të cilët kishin jetuar dramën e dëbimit nga trojet e tyre”, deklaroi ai.
Muhedini nuk kurseu as kritikat ndaj zhvillimeve politike të viteve të fundit, duke u shprehur se çështja çame nuk duhet të përdoret për interesa personale apo politike. Ai kritikoi ish-bashkëpunëtorin e tij, Shpëtim Idrizi, duke deklaruar se “e ka bërë ujë gjaku çam”, duke bashkuar votat me ata që, sipas tij, mohojnë ekzistencën dhe të drejtat e komunitetit çam.

Në fjalën e tij, Muhedini bëri të ditur se Shoqata Patriotike “Çamëria” po kalon një proces të gjerë riorganizimi në të gjithë vendin.
“Po riorganizohemi fuqishëm në Vlorë, Fier, Durrës, Patos, Elbasan, Cërrik, Rrogozhinë, Peqin, Delvinë, Sarandë, Sukth, Shijak, Berat, Lushnjë, Konispol dhe Tiranë. Qëllimi ynë është të kemi një organizim më të fortë dhe më përfaqësues për të mbrojtur kauzën tonë kombëtare”, u shpreh ai.
Pika kulmore e Kuvendit ishte zhvillimi i procesit të votimit të fshehtë për drejtimin e ri të Degës së Elbasanit.
Pas numërimit të votave, besimi i anëtarëve iu dha gazetarit të njohur Hyqmet Zane, i cili u zgjodh kryetar i Shoqatës Patriotike “Çamëria” për Degën e Elbasanit. Në postin e nënkryetares u zgjodh Elvira Resmeliu.


Zgjedhja e drejtuesve të rinj u prit me duartrokitje nga të pranishmit, të cilët e konsideruan këtë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të rolit të shoqatës në Elbasan dhe më gjerë.
Me strukturën e re drejtuese, Dega e Elbasanit synon të intensifikojë aktivitetet patriotike, kulturore dhe historike, duke mbajtur gjallë kujtesën e komunitetit çam dhe duke vijuar përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së të drejtave të tyre. Zgjedhjet u cilësuan si një mesazh i qartë se kauza e Çamërisë vazhdon të mbetet një çështje e rëndësishme për brezat që e mbartin këtë trashëgimi historike.


