SHËNGJIN ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Në kulmin e sezonit turistik veror, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi një inspektim në zonën turistike të Shëngjinit, ku u njoh nga afër me zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe qarkullimit rrugor.
Gjatë vizitës, drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit vlerësuan punën e strukturave policore të angazhuara në terren, të cilat po përballojnë fluksin e lartë të pushuesve dhe automjeteve gjatë sezonit veror.

Një vlerësim i veçantë iu kushtua bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Rrugore të Kosovës. Drejtori i Përgjithshëm Skender Hita falënderoi efektivët kosovarë, të cilët po shërbejnë krah për krah me kolegët shqiptarë në Shëngjin, në kuadër të operacionit të përbashkët për garantimin e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e lëvizjes së mijëra qytetarëve që zgjedhin bregdetin shqiptar për pushime.
Hita shprehu mirënjohje edhe për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit në mbarë vendin, duke theksuar se angazhimi i tyre me orë të zgjatura shërbimi dhe përkushtimi i përditshëm kanë qenë vendimtarë në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë muajve të verës.

Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi se siguria rrugore mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë së Shtetit gjatë sezonit turistik, ndaj kontrollet janë shtuar ndjeshëm në të gjitha akset kryesore të vendit, duke përdorur edhe mjete inteligjente për monitorimin e shkeljeve.
Ai bëri të ditur se vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë, ku radarët kanë regjistruar raste me shpejtësi nga 150 kilometra në orë deri në mbi 200 kilometra në orë.

“Vetëm gjatë fundjavës janë ndëshkuar 357 drejtues automjetesh për tejkalim të shpejtësisë, me shpejtësi të konstatuara që varionin nga 150 km/h deri në mbi 200 km/h. U bëj apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë kufijtë e lejuar të shpejtësisë, sinjalistikën rrugore dhe të gjitha rregullat e qarkullimit, pasi shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja fatale”, deklaroi Hita.
Gjatë inspektimit u diskutua edhe problematika e ndotjes akustike në zonat turistike. Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, e cila po zhvillon kontrolle të vazhdueshme dhe matje të nivelit të zhurmës me pajisje të specializuara, për të evidentuar dhe ndëshkuar subjektet që tejkalojnë normat e lejuara.

Në përfundim të vizitës, Hita kërkoi nga strukturat e Policisë së Lezhës dhe të gjitha drejtoritë vendore në vend që të intensifikojnë kontrollet, në zbatim të ligjit dhe udhëzimeve të dhëna, me synim garantimin e qetësisë publike, respektimin e standardeve për nivelin e zhurmës dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt dhe të qetë për banorët dhe turistët që frekuentojnë zonat bregdetare dhe destinacionet turistike në të gjithë Shqipërinë.


