ELBASAN ,23 korrik 2026/Albania Express News/-Një denoncim i pazakontë nga një klient çoi në zbulimin e një baze prostitucioni me vajza nga Amerika Latine në qytetin e Elbasanit. Sipas dosjes hetimore, ngjarja nisi pas një telefonate në polici nga një shtetas shqiptar, i cili pretendonte se kishte paguar për shërbime seksuale, por nuk i kishte marrë ato.
Sipas dëshmisë së tij, ai kishte paguar 40 mijë lekë të vjetra për dy shtetase të huaja, por pas mosmarrëveshjes njëra prej tyre e kishte kërcënuar me thikë. Denoncimi bëri që policia të shkonte në banesën ku dyshohej se zhvillohej aktiviteti dhe aty gjeti dy shtetase kolumbiane dhe një shtetas maroken.
“Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Elbasanit ka marrë njoftimin se një shtetas kishte nevojë për ndihmë. Ai ka deklaruar se u kishte dhënë 40 mijë lekë të vjetra dy shtetaseve të huaja, por nuk kishte marrë shërbimet e premtuara dhe njëra prej tyre e kishte kërcënuar me thikë”, thuhet në dosjen hetimore.
Sipas hetimit, vajzat ishin promovuar përmes faqeve online të eskortave, ku policia ka verifikuar se profilet përmbanin fotografitë e tyre.
Dy versione për të njëjtën ngjarje
Njëra prej vajzave latine, në deklarimet e saj para policisë, ka dhënë një tjetër version të konfliktit me klientin. Ajo ka treguar se ishte takuar me të rastësisht dhe më pas kishin komunikuar përmes telefonit, duke rënë dakord për një pagesë prej 50 eurosh.
Sipas saj, shtetasi shqiptar kishte shkuar në banesë me një person tjetër, por ajo kishte refuzuar të kryente marrëdhënie seksuale pasi, sipas deklarimit të saj, nuk ishte ndjerë mirë nga sjellja dhe higjiena e tij.
Ajo ka pretenduar se pas refuzimit, klienti ishte larguar i zemëruar dhe më pas kishte njoftuar policinë.
Por në një intervistë televizive për “Inside Story”, gruaja ka ndryshuar versionin, duke pretenduar se deklarimet në polici nuk ishin bërë prej saj në mënyrë të lirë. Ajo ka thënë se nuk kishte pasur avokat dhe përkthyese gjatë marrjes në pyetje dhe se nuk e dinte përmbajtjen e dokumenteve që kishte firmosur.
Rrëfimi për shfrytëzimin dhe konfliktet për paratë
Në dosjen hetimore përmendet edhe një konflikt mes vajzës dhe një gruaje nga Peruja, e cila dyshohet se organizonte aktivitetin, siguronte klientët dhe menaxhonte ndarjen e fitimeve.
Sipas hetimeve, mosmarrëveshja lidhej me përqindjen e parave që duhej të merrte secila palë. Vajza kishte deklaruar se fillimisht paguante 25% të fitimeve, por më pas i ishte kërkuar 50%, çka e kishte shtyrë të largohej dhe të punonte më vete.
Avokatja Suada Pucesta ka deklaruar se në raste të tilla zakonisht ekzistojnë marrëveshje mes personave që menaxhojnë aktivitetin dhe eskortave për ndarjen e fitimeve.
“Na zgjonin natën për klientë”
Në rrëfimin e saj, vajza ka folur edhe për ritmin e punës dhe numrin e madh të klientëve që, sipas saj, prisnin gjatë gjithë ditës.
“Nuk e di sa klientë kemi pasur, sepse shpesh ishim duke fjetur. Na zgjonin, hynte dikush, dilte tjetri. Kanë qenë shumë gjatë gjithë ditës”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka pretenduar se përvoja në Shqipëri ishte negative dhe se pas disa muajsh qëndrimi në burg dëshironte vetëm të kthehej pranë familjes së saj.
“Kam qëndruar 7 muaj e dy javë në burg. Dua vetëm të kthehem në vendin tim, të jem pranë familjes dhe të vazhdoj studimet”, është shprehur ajo.
Sipas avokates, vajzat e përfshira nuk kanë shfaqur pendesë për akuzën penale, por kanë kërkuar largimin nga Shqipëria dhe kthimin pranë familjeve të tyre.
Hetimet për këtë rast vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën e organizimit, rolin e personave të tjerë dhe mënyrën se si funksiononte rrjeti i dyshuar i prostitucionit me vajza nga Amerika Latine në Elbasan.

