RROGOZHINË ,22 korrik 2026/Albania Express News/-Egnatia rikthehet sonte në skenën më të rëndësishme të futbollit europian, teksa pret skuadrën sllovene të Çeljes në ndeshjen e parë të turit të dytë kualifikues të UEFA Champions League. Takimi do të luhet në stadiumin “Arena Egnatia”, me start në orën 21:00, ku kampionët e Shqipërisë synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt fazës së radhës.
Skuadra rrogozhinase vjen në këtë përballje me moral të lartë pas paraqitjes spektakolare në turin e parë, ku eliminoi kampionët e Moldavisë, Petrokub, me rezultatin e përgjithshëm 6-1, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe ambiciet në arenën europiane.
Pak minuta para nisjes së sfidës janë publikuar edhe formacionet zyrtare, ndërsa surpriza më e madhe vjen nga trajneri Nevil Dede, i cili ka lënë në stol kapitenin Albano Aleksi. Vendimi ka ngjallur diskutime, pasi mesfushori ka qenë një nga lojtarët kyç të Egnatias në sezonet e fundit.
Ndërkohë, sipas raportimeve të Panorama Sport, Aleksi është shumë pranë largimit nga Egnatia, çka mund të ketë ndikuar edhe në zgjedhjen e trajnerit për këtë ndeshje.
Formacionet zyrtare:
Egnatia: Dajsinani; Sota, Bitri, Xhemajli, Haime; Loukili, Kryeziu, Fernando; Jago, Albanese, Bakajoko.
Trajner: Nevil Dede.
Çelje: Leban; Koutris, Hrka, Vukliseviç, Diounkou; Kvesiç, Daniel, Seslar; Dukuly, Kucys, Avdyli.
Trajner: Vitor Kampelos.
Pritet një atmosferë elektrizuese në “Arena Egnatia”, ku tifozët rrogozhinas shpresojnë të shohin skuadrën e tyre të vazhdojë rrugëtimin historik në Champions League dhe të marrë një rezultat pozitiv përpara ndeshjes së kthimit në Slloveni.


