Një vis dibran i Librazhdit, ku bashkëjeton zbrazja me shpresën

Nga Aleksandër Çipa

Sebishti dhe Borova e Dibrës, janë dy fshatra që i administron tashmë Librazhdi.
Janë dy qendra shumë afër Fushë Studen.
Më herët kanë qenë më pranë Ostrenit.
Aty është një hijeshi e përhershme natyre për shkak se janë larg qendrave urbane dhe kanë bujari ujin, prej natyrës.
Rënia përditë e më tepër në “prehër të natyrës” aty vihet re më shumë se kudo. Në fakt do të ishte më mirë të thuhej rënie në “prehër të vetmisë”, kur ndesh ndonjë prej banorëve të mbetur ende në krye të punëve bujqësore apo blektorale.
Në Sebisht, vetmia të bëhet edhe më imponuese kur ndesh ndanë rrugës kryesore, të përfunduar jo më shumë se një vit më parë, një varr të vetmuar që ka fituar vlerën e një artefakti historik të vitit 1914.

Mbishkrimi i mbetur ende për t’u lexuar, na mëson se si i mbishkruari është vrarë në vitin e njohur të Luftës së Parë Botërore për arsye të vendit të tij.
E ka dashur këtë vend dhe për këtë arsye, varri i tij i kërcënuar me shembje ose dhe zhdukje, ka shpëtuar falë kujdesit të një tekniku të kompanisë që ndërtoi rrugën kombëtare nga Bulqiza për në Fushë Studen.
Një brez betoni e mbrojti këtë varr, i cili nga ndanë rruga e këtij segmenti rrugor, të heq nga prehëri i vetmisë së natyrës dhe të vendos për një çast në “prehër të historisë” së kësaj zone me aq specifika identitare dhe entitetesh.
Gati 100 metër larg këtij artefakti është një bar modest me emrin “Stani”.
Aty ka fare pak kohë që është mbyllur një baxho moderne, tek ballkoni i së cilës është afishuar çmimi i shitjes prej 300 mijë euro…

I zoti i barit, banues sa në Lushnjë, në Tiranë dhe në Sebisht, na vjen pranë tavolinës me qeshjen e mikpritësit dhe të banorit të përzemërt. Janë vetëm dy tavolina me tri klientë. Në njerën lozet shah.
I zoti i barit na jep njohje pasi na shquan si përfaqësues të medias. Dhe pas dy fjalish të para, na shton informacionin statistikor për Sebishtin:
Kanë qenë 120 nxënës para pak vitesh dhe kanë mbetur vetëm dy sot. Shkolla është e re dhe plotësisht moderne. Sivjet ka vetëm dy nxënës dhe janë dy mësues, prej të cilëve do të mbetet vetëm njeri. Kjo ndodh edhe në shkollat e fshatrave të tjera, – shton zotëria.

Në fshat janë vetëm 20 banorë. Shtëpitë i mbajnë me riparime, kryesisht çatitë që të mos bien. Ndërsa futemi në një prej rrugicave të fshatit, ku zgjaton një tunel pjergulle, kalojmë para një banese gati një shekullore, në të cilën janë dy nëna shamibardha, dibrane.

Na ftojnë për një gotë dhallë, të cilën na e servir mbesa e të dyjave. Ato janë krushka që shpesh shkëmbejnë vizitat tek njera- tjetra, ndërsa janë larg një orë me këmbë dhe jo më shumë se 10 minuta me makinë.
Mbesa syqeshur e ka përcaktuar destinacionin e shkollimit të vet pas përfundimit të gjimnazit në Fushë Studen, për mjekësi. Mbi pragun e shtëpisë ka zënë ndryshk një tabelë mermeri ku shkruhet: Këtu ka qenë bazë e Luftës Nacionalçlirimtare”.

***
Në arat aty pranë kishte gjelbërim sfidues.
Arat me misër që vaditeshin me sistem spërkatës dhe pompë presioni në formë shiu.
Pemë dhe vreshta plot.
Në hyrje të rrugës që të çon brenda fshatit, aty ku xhamia është me një bar tjetër para dhe shkollën pas, na del para makinës një dhelpër e cila depërton fill matanë rrugës në shkurret e dendura të bregores. Është ora 11.30 e paradites.
Jo më shumë se një kilometër larg Sebishtit, në disa ara, ndanë tyre na alarmojnë dy shtëllunga të vogla tymi njomishtesh.
Fotografojmë dhe alarmohemi.
Jemi në stinë zjarresh!…
Sapo mbërrijmë në restorantin “ Trofta e Borovës” me shqetësim i themi pronarit se po ndiznin zjarr tek arat. Me qeshjen e një superiori në njohjen e vendit, na u përgjigj:
– Nuk vendosin zjarr këtu! Djegin mbeturinat dhe janë të kujdesshëm. Këtu nuk vendos zjarr asnjë!

Restoranti ku u ulëm për drekën është një sukses biznesi në këtë zonë. Aty është krijuar një oaz i shkëlqyer me ujë, rrjedhje, rasat trofte, mal, kabina biznesi me dru, estetikë dhe arkitekturë ala alpine, shenja dhe objekte etnografike si dhe antikuarë kombëtarë.
Një restorant me specialitetin e troftës dhe koleksionin e pasur të tavave të troftës….
Aty ka përherë rezervime dhe ardhje nga skaje të ndryshme, të zonës, të metropolit, të vendit, dhe turistë nga vise të ndryshme. Nëse ia beson spontaneitetit planifikumin e drekës do të ndeshesh me pritje ose pamundësinë e pasjes së një tryeze.

Diku pesë kilometra prej aty, ndodhet qendra e Fushë Dtuden… një vis me shtim të përditshëm vizitorësh e turistësh. Me vila dhe madje shfaqje të gest house- ve që po shtohen.
Në këtë hapësirë rurale, si askund tjetër, bashkëjetojnë aq konstrastueshëm edhe trishtimi prej zbrazjes, edhe shpresa prej kënaqësisë.
Ardhësit kanë të dytën….!
Vendasit, çdo ditë dhe sipas gjasave edhe më tej, zhyten në “ prehër” të së parës.!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME