“Tigrat Verdheblu” ,”Arrakatët” dhe tifozëria elbasanase japin leksionin më të madh të dashurisë për futbollin:”Ne jemi këtu edhe kur ju rrëzoheni”!

NGA FATMIR POPJA

ELBASAN,18 maj 2026/Albania Express News/Në historinë e futbollit shqiptar dhe atij botëror ka skuadra të mëdha , të njohura e të panjohura që fitojnë trofe, por rrallë ka qytete që fitojnë përjetësisht zemrat e ekipit që i përfaqëson në garat zyrtare . Elbasani është një prej tyre. Dhe nëse sot AF Elbasani është kthyer në një nga emrat më të përfolur të futbollit shqiptar, një pjesë e madhe e meritës i takon tifozërisë së tij legjendare, u takin atyre që në tribuna nuk njohin lodhje, nuk pranojnë zhgënjim dhe nuk njohin distancë.

“Tigrat Verdheblu”, “Arrakatët” dhe gjithë tifozëria e jashtëzakonshme elbasanase janë sot jo thjesht mbështetës të një skuadre, por simbol i një kulture futbolli që rrallë shihet në Shqipëri. Nga veriu në jug, në çdo stadium ku zbret AF Elbasani, ngjyrat verdheblu pushtojnë tribunat, rrugët dhe atmosferën. Këngët, flakadanët, marshimet dhe entuziazmi i tyre kanë krijuar tashmë një identitet unik, duke e kthyer tifozërinë elbasanase në autoritetin më të madh të tifozërisë së futbollit shqiptar.

Në shumë stadiume të vendit, AF Elbasani ndihet si në shtëpi. Jo vetëm për shkak të numrit të madh të tifozëve që e ndjekin kudo, por sepse kjo tifozeri ka arritur të fitojë respektin edhe të kundërshtarëve. Është një fenomen që po ndikon pozitivisht në gjithë futbollin shqiptar, duke motivuar edhe tifozëritë e tjera të rikthehen masivisht në tribuna. Sepse kur luan AF Elbasani, stadiumi merr frymë ndryshe.

Por futbolli ka edhe anën e tij të dhimbshme. Ekipi i zemrës së tyre prej javësh po kalon momentin më të vështirë të sezonit. Humbjet me Vorën, Bylisin dhe Tiranën u konsideruan fillimisht si pasojë e një vetëkënaqësie të tepruar pas sigurimit të pjesmarrjes në “Final Four”. Askush nuk e imagjinonte se kriza do të thellohej deri në atë pikë sa AF Elbasani të pësonte një humbje tronditëse 0-4 ndaj Egnatias në “Air Albania”, në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit që u zhvillua Air Albania mbrëmjen e të dielës që lamë pas .

Ishte një mbrëmje e rëndë. Një goditje që vrau zemrat e mijëra tifozëve verdheblu. Por pikërisht aty, në momentin më dramatik, lindi edhe madhështia e kësaj tifozërie.

Kur shumëkush priste revoltë, sharje apo braktisje, “Tigrat Verdheblu”, “Arrakatët” dhe gjithë tifozët elbasanas dhanë një leksion qytetarie dhe dashurie për futbollin. Në fund të ndeshjes, pas një humbjeje katastrofike, tribunat shpërthyen në duartrokitje të gjata për ekipin e tyre. Një gjest i rrallë, prekës dhe jashtëzakonisht njerëzor. Një mesazh i qartë për futbollistët: “Ne jemi këtu edhe kur ju rrëzoheni”.

Kjo është diferenca mes tifozit të zakonshëm dhe tifozërisë së madhe. Të mbështesësh skuadrën kur fiton është e lehtë. Ta duash kur bie, kërkon zemër, karakter dhe shpirt. Dhe Elbasani i ka të gjitha.

Sot kampionati është ende i hapur. AF Elbasani, Vllaznia dhe Egnatia ndajnë të njëjtin numër pikësh, ndërsa Dinamo City mbetet në garë. Verdheblutë kanë përpara dy beteja vendimtare ,fillimisht ndaj Dinamos në “Air Albania” dhe më pas përballjen e madhe të 31 majit ndaj rivalëve të Vllaznisë. Asgjë nuk është humbur. Përkundrazi, tani është momenti kur karakteri i një skuadre vihet në provë.

AF Elbasani duhet të ruajë qetësinë, të ringrihet dhe të luftojë deri në sekondën e fundit. Sepse pas vetes ka një qytet të tërë që sakrifikon, udhëton dhe jeton me këtë skuadër. Ka mijëra zemra verdheblu që nuk kërkojnë mrekulli, por kërkojnë shpirt, dinjitet dhe respekt për fanellën.

Çdo futbollist i AF Elbasanit duhet ta kuptojë se kjo tifozëri nuk meriton më zhgënjim. Jo pas gjithë atyre kilometrave, lotëve, këngëve dhe sakrificave. Ata nuk mbrojnë vetëm një klub, por krenarinë e një qyteti të tërë.

Dhe në fund, pavarësisht se si do të mbyllet ky kampionat, një gjë është e sigurt:
Elbasani tashmë është kampion në tribuna. Kampion në zemër. Kampion në shpirt.
Dhe qershia mbi tortë , AF Elbasani Kampion 2025-2026!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kulla Hupi, destinacion që vendos në hartën turistike fshatin Dushaj në Bulqizë

BULQIZË, 18 maj 2026/Albania Express News/ Kulla “Hupi” në...

Java nis me kushte atmosferike të qëndrueshme, parashikimi i motit për ditën e sotme

TIRANË,18 maj 2026/Albania Express News/Java në vendin tonë do...

Paralajmërimi që u pa më herët

Nga Erion Sqapi AF Elbasani pësoi një humbje të rëndë...