Rikthehet “Festa e Xhyrës” ,një nga festat më të bukura të Shqipërisë në fshatin që po kthehet në perlën e turizmit malor shqiptar

NGA FATMIR POPJA

XHYRË -LIBRAZHD ,22 qershor 2026/Albania Express News/-Në një nga perlat më të bukura natyrore të Bashkisë së Librazhdit, në fushën piktoreske të Larës të rrethuar nga masive pyjesh ahu , në lagjen e njohur “Mali i Xhyrës”, u zhvillua eventi më i madh vjetor i zonës, “Festa e Xhyrës 2026”, një festë tradicionale që u rikthye pas disa vitesh ndërprerje dhe që mblodhi së bashku banorë, emigrantë, vizitorë, turistë dhe miq të shumtë të këtij fshati të jashtëzakonshëm.

Për orë të tëra, fusha e Larës jehoi nga këngët, vallet, humori, gëzimi dhe emocionet e një feste që riktheu kujtimet më të bukura dhe që i bën edhe më të forta lidhjet e komunitetit me rrënjët e veta.

Xhyra , fshati piktoresk i Librazhdit ku dominojnë ende rinia dhe fëmijët

Fshati Xhyrë, pjesë e Njësisë Administrative Hotolisht, është sot një nga fshatrat më të mëdhenj jo vetëm të Bashkisë së Librazhdit, por edhe të gjithë luginës së Shkumbinit, nga burimi i tij në malin e Valamarës deri në derdhjen e lumit në Detin Adriatik.

Me afro 2 mijë banorë dhe me një popullsi ku fatmirësisht dominojnë ende të rinjtë dhe fëmijët, Xhyra mbetet një model unik shprese për gjallërinë në zonat rurale shqiptare, në një kohë kur shumë fshatra po përballen me braktisjen dhe plakjen e popullsisë.

Pozicioni i favorshëm përgjatë lumit Shkumbin, rrugës kombëtare Tiranë–Korçë dhe linjës hekurudhore e ka bërë këtë fshat një pikë të rëndësishme ekonomike dhe turistike. Burimet e shumta ujore, gurrat , përrenjtë malorë , kullotat , monumentet e trashëgimisë kulturore e historike , shpellat , fusha prej dhjetra hektarë e Rafjes .masivet me pyje ahu ,flora dhe fauna e larmishme , peizazhet mahnitëse dhe monumentet natyrore po shndërrohen çdo vit në një burim të rëndësishëm të ardhurash për banorët.

Xhyra ,fshat plot histori dhe Via Egnatia që i kalon mes për mes

Pak vende në Shqipëri mund të krenohen me një trashëgimi historike si ajo e Xhyrës. Pikërisht këtu kalon një nga segmentet më të gjata dhe më të ruajtura të Via Egnatias, rruga legjendare që lidhte Lindjen me Perëndimin dhe që për shekuj me radhë shërbeu si arteria kryesore e tregtisë dhe komunikimit.

Përgjatë trasesë së saj ruhen ende ura antike, mure mbajtëse, kalldrëme dhe struktura të tjera që dëshmojnë madhështinë e kësaj rruge historike. Masivet shkëmbore dhe panorama e jashtëzakonshme e bëjnë këtë segment një atraksion unik për turistët vendas dhe të huaj.

Po aq interesant është edhe vendi i njohur si “Qytetas”, pranë fushës së Kokutës dhe Gurit të Sukllit. Gjetjet arkeologjike të mureve, furrave të bukës, enëve prej balte dhe qeramikave të ndryshme flasin për një qytetërim të hershëm që ka lulëzuar në këtë territor mijëra vite më parë.

Pengu i diasporës

Megjithëse festa u zhvillua me sukses të plotë, shumë emigrantë nga Xhyra që jetojnë dhe punojnë në Greqi, Itali, Gjermani, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Kanada dhe vende të tjera nuk arritën të organizoheshin në kohë për të marrë pjesë.

Ata shprehën dëshirën që në vitet e ardhshme data e organizimit të diskutohet më herët, në mënyrë që të kenë mundësi të planifikojnë pushimet dhe të bëhen pjesë e kësaj feste që i lidh me vendlindjen.

“Na ka marrë malli për Xhyrën dhe duam të jemi pjesë e festës çdo vit. Kjo është dita kur bashkohemi të gjithë”, shpreheshin shumë prej tyre gjatë komunikimit me të afërmit e tyre gjatë festës.

Një spektakël muzikor që ndezi atmosferën

Një nga kulmet e eventit ishte programi artistik i organizuar nga artistët dhe muzikantët e njohur të zonës.

Orkestra e përbërë nga Avni Pali në klarinetë, Amarildo Brahja dhe Feti Jança në këngë, Oligert Brahja në organo dhe Shyqo Brahja, daullexhiu i famshëm i luginës së Shkumbinit, dhuroi një spektakël të paharrueshëm që mbajti gjallë atmosferën gjatë gjithë aktivitetit.

Bukuri të veçantë festës i dhanë edhe mjeshtrat e muzikës tradicionale popullore të Xhyrës. Mes tyre spikati Dilaver Hajdari, i cili prej më shumë se pesë dekadash ka qenë pjesë e gëzimeve familjare dhe aktiviteteve folklorike me daullen dhe cyrlen e tij.

Po aq emocionues ishte edhe interpretimi i melodive baritore nga Sali Almina, mjeshtri i fyellit, i cili prej 50 vitesh ruan dhe promovon muzikën tradicionale të zonës.

Festë e rinisë dhe e fëmijëve

Prania masive e të rinjve dhe fëmijëve ishte ndoshta elementi më i bukur i kësaj feste. Vizitorët e shumtë mbetën të impresionuar kur panë se në Xhyrë jeta vazhdon të gumëzhijë dhe se fshati ruan ende energjinë rinore që shumë zona të tjera rurale e kanë humbur.

Kjo ishte prova më e mirë se pavarësisht emigrimit dhe vështirësive të jetës rurale, Xhyra ka arritur të ruajë vitalitetin e saj social dhe ekonomik.

Turizmi malor që po rritet çdo vit

Xhyra po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të rëndësishëm të turizmit malor dhe banorët e këtij fshati po tregojnë ambicia të mëdha për zhvillimin e shpejtë të industrisë së turizmit në Xhyrë edhe pse tradita nuk ka qenë e hershme në këtë fushë .

Në hyrje të fshatit vizitorët gjejnë restorantin “Trofta Xhyra”, ku gatuhet trofta që rritet në ujërat e kristalta të burimeve gurrave të Xhyrës .Prodhimet e bollshme të troftës së Xhyrës janë nga më të kërkuarat nga restorantet në qyetet kryesore të Shqipërisë.

Në qendër të fshatit funksionon “Lokali i Fatit”, i administruar nga çifti Fatmir dhe Shpresa Hoxha, të cilët njihen për gatimet tradicionale bio që tërheqin klientë nga e gjithë Shqipëria , por edhe shumë turistë të huaj.

Po aq i njohur është edhe Agroturizmi “Hani i Çepit”, një agroturizëm i ngritur në zemër të Malit të Xhyrës, ku natyra, qetësia, ushqimet tradicionale dhe mikpritja e zonës krijojnë një përvojë të paharrueshme për turistët vendas dhe të huaj.

Tashëgimi , blektori dhe bujqësi

Xhyra është gjithashtu e njohur për traditën e saj të blektorisë. Në lagjen “Mali i Xhyrës”, stanet e vëllezërve Xhepi mbeten ndër më të famshmet në zonë për prodhimin cilësor të djathit, gjalpit dhe gjizës, produkte që po fitojnë gjithnjë e më shumë vlerësim edhe nga turistët e huaj.

Krahas tyre, mullinjtë me ujë, rezervatet e troftës, bujtinat, fermat e vogla bujqësore e blektorale dhe aktivitetet e tjera agroturistike po i japin zonës një identitet të veçantë ekonomik dhe turistik.

Një fshat që ka gjithëçka

Pak vende mund të krenohen me kaq shumë pasuri natyrore dhe historike si Xhyra.

Stacioni hekurudhor, rruga kombëtare, lumi Shkumbin ,Via Egnatia, urat antike, monumentet natyrore si Guri i Sukllit , Gryka e Shkallës ,Guri i Bletës ,Guri i Korbit ,Gurra e Popes, Gurra e Palit, Shpella e Plakës, Katundi i Vjetër, Rafja e Xhyrës, Kokuta, Lara, Qytetasi dhe mjaft pika të tjera turistike e historike e bëjnë këtë fshat një muze të hapur natyror.

Në kohën e Perandorisë Romake dhe asaj Osmane, Rafja e Xhyrës shërbente si vendstrehim për qindra e mijëra tregtarë dhe karvane që udhëtonin mes Lindjes dhe Perëndimit.

Mesazhi i “Festës së Xhyrës”

“Festa e Xhyrës 2026” nuk ishte vetëm një aktivitet argëtues. Ajo ishte një manifestim i identitetit, historisë, kulturës, traditës dhe krenarisë së një komuniteti që vazhdon të ruajë vlerat e veta.

Me mbështetjen e Bashkisë së Librazhdit dhe Njësisë Administrative Hotolisht, kjo festë dëshmoi se kur komuniteti bashkohet, tradita ringjallet, historia merr jetë dhe e ardhmja bëhet më e sigurt.

Xhyra vazhdon të mbetet një nga thesaret më të çmuara të Librazhdit, një fshat që ka histori, natyrë, kulturë, mikpritje dhe njerëz bujarë e mjaft punëtorë. Një fshat që jo rastësisht konsiderohet krenaria e luginës së Shkumbinit dhe një nga destinacionet më premtuese të turizmit malor shqiptar.Një nga momentet më të vlerësuara të “Festës së Xhyrës 2026” ishte prania e deputetit të Librazhdit, Olsi Komici, Nënkryetarit të Bashkisë së Librazhdit, Gazmir  Bahiti, si dhe drejtuesit të Njësisë Administrative Hotolisht, Klodian Daja.

Gjatë gjithë aktivitetit, ata u takuan dhe bashkëbiseduan me pothuajse të gjithë të pranishmit, duke dëgjuar nga afër jo vetëm sukseset dhe iniciativat e banorëve, por edhe shqetësimet, hallet dhe problematikat me të cilat përballen çdo ditë familjet e zonës.

Bisedat u përqendruan kryesisht te perspektivat e zhvillimit të fshatit dhe të gjithë Njësisë Administrative Hotolisht, me theks të veçantë te nxitja e turizmit malor, promovimi i pasurive natyrore dhe historike të Xhyrës, si dhe krijimi i kushteve më të mira për tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte edhe përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës rrugore, investimet në shërbimet publike dhe mbështetja e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së jetës së banorëve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu bujqësisë dhe blektorisë, dy prej sektorëve më të rëndësishëm ekonomikë të zonës. U theksua nevoja për mbështetje më të madhe me subvencione, fonde zhvillimi dhe programe konkrete që ndihmojnë fermerët dhe blegtorët të rrisin prodhimin, të përmirësojnë standardet dhe të krijojnë më shumë të ardhura për familjet e tyre.

Mes atmosferës festive dhe mikpritjes karakteristike të banorëve të Xhyrës, ky komunikim i drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve të institucioneve dhe komunitetit u konsiderua si një hap pozitiv drejt forcimit të bashkëpunimit për zhvillimin e mëtejshëm të zonës dhe shfrytëzimin sa më të mirë të potencialeve të jashtëzakonshme që ofron Xhyra dhe Mali i saj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME