SHËNGJIN, LEZHË ,17 qershor 2026/Albania Express News/Në prag të sezonit të pikut turistik, institucionet inspektuese kanë intensifikuar përgatitjet për garantimin e një vere të sigurt dhe cilësore për pushuesit vendas dhe të huaj. Gjatë një prononcimi për mediat në Shëngjin, në kuadër të trajnimit kombëtar të inspektorëve rajonalë të qarkut Lezhë, Inspektori i Përgjithshëm ,Dashnor Sula prezantoi prioritetet kryesore të punës së inspektorateve për muajt e verës.
Sula theksoi se fokusi kryesor do të jetë forcimi i kontrolleve në terren për të garantuar respektimin e standardeve ligjore dhe mbrojtjen e qytetarëve në të gjitha zonat turistike të vendit, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare.
Sipas tij, një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet sigurisë ushqimore, duke rritur monitorimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike, me qëllim garantimin e produkteve të sigurta dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Një tjetër prioritet mbetet siguria në det dhe parandalimi i incidenteve ujore, ku do të kontrollohet me rigorozitet respektimi i perimetrit të sigurisë nga mjetet lundruese, për të shmangur rrezikimin e jetës së pushuesve në plazhe.
Po ashtu, inspektoratet do të angazhohen në kontrollin e ndotjes akustike, një problem i hasur shpesh gjatë sezonit turistik, si dhe në monitorimin e masave për mbrojtjen nga zjarret, veçanërisht në zonat me fluks të lartë vizitorësh.
Gjatë deklaratës së tij, Inspektori i Përgjithshëm paralajmëroi se vëmendje të shtuar do të ketë edhe ndaj ambulantëve të pacertifikuar që tregtojnë ushqime të shpejta, aktivitet i cili përbën rrezik për sigurinë ushqimore dhe konkurrencën e ndershme në treg.
Në fokus të kontrolleve do të jetë gjithashtu fenomeni i zaptimit të hapësirave publike në plazhe, me qëllim garantimin e aksesit të lirë të qytetarëve në zonat publike bregdetare.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe zbatimit të vendimit të qeverisë për kufizimin e qarkullimit të mjeteve me tonazh të lartë në akset turistike dhe bregdetare, masë e cila synon rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e lëvizjes gjatë sezonit veror.
Sula bëri të ditur se realizimi i këtyre objektivave do të mbështetet në kontrolle të shtuara në terren, monitorime të vazhdueshme përgjatë vijës bregdetare dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional mes inspektorateve rajonale, pushtetit vendor dhe task-forcave të ngritura posaçërisht për sezonin turistik.
Ai nënvizoi se në çdo rast të konstatuar të shkeljeve ligjore do të aplikohen masa administrative dhe ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet parandalimi dhe krijimi i një kulture respektimi të rregullave.
Masat e paralajmëruara do të shtrihen në të gjithë vijën bregdetare shqiptare, me synimin për të garantuar standarde sa më të larta sigurie, shërbimi dhe cilësie për të gjithë turistët dhe pushuesit, duke kontribuar në një sezon turistik të suksesshëm dhe dinjitoz për Shqipërinë.

