Adelina Pali , gruaja që e ktheu sfidën në art, fjalën në mision dhe shpirtin në frymëzim

NGA FATMIR POPJA

TIRANË ,17 qershor 2026/Albania Express News/Në një kohë kur historia e suksesit matet shpesh me arritje materiale, ekzistojnë gra që ndërtojnë një pasuri shumë më të madhe ,atë të shpirtit, kulturës dhe humanizmit. Një prej tyre është Adelina Pali ,poete, piktore, producente, publiciste, aktiviste humanitare dhe një zë i veçantë në botën e artit shqiptar.

Rrugëtimi i saj është historia e një gruaje që nuk iu dorëzua sfidave të jetës, por i shndërroi ato në forcë krijuese. Nga vitet e formimit në Tiranë, te emigracioni dhe rikthimi në atdhe, nga poezia që prek zemrat e lexuesve te piktura që flet përmes ngjyrave, Adelina Pali ka ditur të ndërtojë një identitet të veçantë artistik dhe njerëzor.

Autore e disa vëllimeve poetike të vlerësuara, fituese e çmimeve prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, mbajtëse e titullit “Ambasadore e Paqes” dhe themeluese e Festivalit Kombëtar Letrar “Nën Dritën e Fjalës”, ajo përfaqëson modelin e gruas moderne që ndërthur talentin, punën, familjen dhe angazhimin social në një mision të vetëm: të lërë gjurmë pozitive në shoqëri.

Në këtë intervistë ekskluzive për “Albania Express News”, Adelina Pali rrëfen me sinqeritet jetën e saj përtej skenës dhe librave, emocionet e suksesit, sfidat e emigracionit, pasionin për artin dhe mesazhet që dëshiron t’u përcjellë grave dhe vajzave shqiptare. Një bisedë e veçantë me një grua që dëshmon se talenti merr vlerë vetëm kur shoqërohet me qëndresë, besim dhe forcë.

INTERVISTA :

Znj. Adelina Pali, fillimisht ju falënderojmë që pranuat ftesën e “Albania Express News”. Kush është Adelina Pali përtej poezisë dhe librave që publiku njeh?

Përtej librave, jam një grua që ka kaluar nëpër sfida reale dhe që ka mësuar të mos dorëzohet. Jam një njeri që ndërton çdo ditë veten mes përgjegjësive, dështimeve dhe fitoreve të vogla. Poezia është vetëm një pjesë e imja, pjesa tjetër është puna, familja, sakrifica dhe dëshira për të lënë një gjurmë të dobishme në shoqëri.

Keni lindur dhe jeni rritur në Tiranë. Sa ndikuan vitet e fëmijërisë dhe familja në formimin tuaj si artiste dhe krijuese?

Kanë qenë vendimtare. Fëmijëria ime më dha ndjeshmërinë, ndërsa familja më mësoi që vlerat nuk negociohen. Shumë nga ajo që shkruaj sot ka rrënjë pikërisht aty, tek përjetimet e hershme dhe mënyra si kam mësuar ta shoh botën.

Studimet në Gjuhë-Letërsi dhe puna si mësuese në vitet e para të karrierës suaj, çfarë roli kanë luajtur në raportin tuaj me letërsinë?

Më kanë dhënë disiplinë dhe respekt për fjalën. Letërsia nuk është vetëm emocion spontan, është edhe ndërtim, strukturë dhe përgjegjësi. Mësimdhënia më mësoi të jem më e qartë, më e saktë dhe më e ndërgjegjshme për ndikimin që ka fjala tek të tjerët.

Në vitin 2005 emigruat në Greqi. Si e përjetuat largimin nga Shqipëria dhe cilat ishin sfidat më të mëdha të atyre viteve?

Largimi nuk është thjesht fizik, është emocional dhe identitar. Sfida më e madhe ishte të mos humbisja veten në një ambient të ri, por ta rindërtoja atë me më shumë forcë dhe vetëdije por kanë qenë dhe vitet më të bukura të jetës sime sepse aty mora titullin nënë aty mësova se çfarë është jeta. Emigracioni s’më pengoi të shkruaj përkundrazi, më mësoi të gjej dritë edhe në mungesë të shumë gjërave.

Pas 12 vitesh emigracion, ju riktheheni në atdhe. Çfarë emocionesh solli ky rikthim dhe si ndikoi ai në rilindjen e pasionit tuaj për shkrimin?

Rikthimi ishte një lloj “zgjimi”. Më bëri të reflektoj për gjithçka që kisha kaluar dhe më shtyu të shkruaj më sinqerisht. Ishte momenti kur poezia nuk ishte më thjesht ndjenjë, por nevojë për të shprehur dhe për të kuptuar veten.

Së fundmi, ju zhvilloni edhe kurse pikture për fëmijë. Si ka qenë rikthimi juaj mes fëmijëve, këtë herë përmes artit pamor?

Rikthimi mes fëmijëve ka qenë një nga përvojat më të pastra dhe më frymëzuese për mua. Në një formë tjetër nga mësimdhënia, por me të njëjtin thelb , ndërtimin dhe zhvillimin e shpirtit krijues. Përmes pikturës, fëmijët shprehin botën e tyre pa filtra, dhe kjo më rikujton çdo ditë pse arti është kaq i rëndësishëm. Është një proces i ndërsjellë, unë i udhëzoj, por në të njëjtën kohë mësoj prej tyre spontanitetin, sinqeritetin dhe guximin për të krijuar pa frikë.

Libri juaj i parë “Pa Ty” u botua në vitin 2021. Si lindi ky vëllim poetik dhe çfarë mesazhi përcjell për lexuesin?

“Pa Ty” është një libër i lindur nga mungesa, por jo nga dobësia. Ai përfaqëson përballjen me mallin, largësinë dhe transformimin që vjen pas tyre. Është një mesazh se jeta larg njeriut të zemrës përballet me vështirësi të mëdha, por gjithmonë ekziston një forcë e brendshme që të shtyn të vazhdosh përpara.

Më pas erdhën “Fole Mirësie” dhe “Dehja Ime”. Si ka evoluar bota juaj poetike nga libri i parë tek i treti?

Nga një poezi më personale dhe e brendshme, kam kaluar drejt një poezie më të hapur dhe reflektuese. Sot shkruaj jo vetëm për veten, por edhe për realitetin që na rrethon dhe për përvojat që na bashkojnë si njerëz.

Në poezitë tuaja gjejmë dashuri, mall, dhimbje, shpresë dhe reflektim. Cili është burimi kryesor i frymëzimit për Adelina Palin?

Jeta reale, pa filtra. Nuk kërkoj të shpik emocione…i jetoj, i përpunoj dhe pastaj i kthej në varg. Pikërisht kjo i jep sinqeritet poezisë sime.

A ka ndonjë poezi apo krijim që e konsideroni më të afërt me shpirtin tuaj dhe pse?

Janë ato poezi që lindin në momentet më të vështira, sepse aty nuk ka maska. Ato janë më të drejtpërdrejta, më të dhimbshme, por edhe më të vërteta.

Ju keni marrë pjesë në festivale dhe aktivitete të shumta letrare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë. Cili prej këtyre aktiviteteve ka lënë gjurmën më të fortë tek ju?

Aktivitetet ku ndjen vlerësim të sinqertë dhe lidhje njerëzore kanë ndikimin më të madh. Nuk është vetëm skena, por energjia që krijohet mes njerëzve të artit.

Çfarë emocionesh përjetuat kur u shpallët “Poetesha më e mirë” në Takimet Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në vitin 2024?

Takimet Ndërkombëtare “Azem Shkreli” në vitin 2021 ishin përvoja ime e parë në një aktivitet letrar. Ishte një hap i rëndësishëm që më hapi një rrugë të re në këtë botë. Ndërsa në vitin 2024, rikthimi im në të njëjtin aktivitet u kurorëzua me vlerësimin si “Poetesha më e mirë”, një çmim që e përjetova me emocione të forta dhe mirënjohje të thellë.

Ishte një moment që më dha jo vetëm vlerësim, por mbi të gjitha më rikujtoi se çdo arritje sjell edhe më shumë përgjegjësi për të vazhduar përpara pa u ndalur.

Gjatë rrugëtimit tuaj keni marrë një sërë çmimesh dhe vlerësimesh prestigjioze. Cili prej tyre ka një domethënie të veçantë për ju?

Ato që vijnë pas një rruge të vështirë, sepse aty e di çfarë ke kaluar për t’i arritur. Do të veçoja çmimin “Malli Poetik” për poezinë më të mirë të vitit 2023 në Prishtinë.

Në vitin 2023 ju është akorduar titulli

“Ambasadore e Paqes”. Çfarë përgjegjësie morale mbart ky titull për ju?

Është një përgjegjësi që të jesh shembull në mënyrën si vepron, jo vetëm si flet. Paqja fillon nga qëndrimet e përditshme.

Së fundmi jeni nderuar me “Diplomë Ekselence” në Bruksel. Çfarë përfaqëson ky vlerësim në karrierën tuaj artistike dhe letrare?

Është një hap drejt afirmimit ndërkombëtar dhe një motivim për të vazhduar me më shumë seriozitet.

Përveç letërsisë, ju ushtroni edhe artin e pikturës. Si bashkëjetojnë poezia dhe piktura në universin krijues të Adelina Palit?

Janë dy gjuhë të ndryshme që shprehin të njëjtën botë të brendshme. Kur nuk mjaftojnë fjalët, flasin ngjyrat.

Jeni e vetëpunësuar në biznesin e artit dhe estetikës. Sa e vështirë është për një grua të menaxhojë njëkohësisht familjen, biznesin dhe krijimtarinë artistike?

Është shumë sfiduese dhe kërkon disiplinë të fortë. Nuk mjafton pasioni…duhet organizim dhe vendosmëri për të mos u shpërndarë.

Në vitin 2025 themeluat Festivalin Kombëtar Letrar “Nën Dritën e Fjalës”. Si lindi kjo ide dhe cilat janë synimet afatgjata të këtij festivali?

“Nën dritën e fjalës” lindi si një thirrje e shpirtit.

Qëllimi kryesor i këtij festivalit është:

promovimi i poezisë shqipe bashkëkohore

krijimi i një platforme të përhershme për poetët shqiptarë nga të gjitha trojet dhe diaspora fuqizimi i rolit të Tiranës si qendër e rëndësishme e jetës kulturore në rajon ndërtimi i një tradite të qëndrueshme letrare me potencial zhvillimi ndërkombëtar.

Çfarë mendoni për gjendjen aktuale të letërsisë shqiptare dhe për hapësirat që u jepen autorëve të rinj?

Ka potencial dhe zëra të mirë, por ka nevojë për më shumë strukturë, mbështetje dhe seriozitet në promovim.

Ju jeni e angazhuar edhe në projekte humanitare. Çfarë ju shtyn të jeni pranë familjeve në nevojë dhe sa i rëndësishëm është solidariteti në shoqërinë tonë?

Ndjenja e përgjegjësisë sociale. Nuk mjafton të krijosh…duhet edhe të kontribuosh realisht në jetët e njerëzve.

Një nga projektet më të veçanta ku jeni përfshirë është zgjerimi i bibliotekave në burgje. Si lindi ky angazhim dhe çfarë ndikimi besoni se ka libri në jetën e personave të privuar nga liria?

Besoj fort që libri mund të ndryshojë mënyrën si mendon një njeri. Është një mundësi për reflektim dhe një fillim i ri.

Si e shihni rolin e gruas shqiptare sot në art, kulturë dhe shoqëri?

Është më i fortë se kurrë, por ende përballet me paragjykime. Ka progres, por jo barazi të plotë.

Cilat kanë qenë momentet më të vështira të jetës suaj dhe si keni arritur t’i ktheni ato në forcë dhe motivim?

Kanë qenë ato që më kanë detyruar të rritem dhe të ndryshoj. Pa to nuk do të isha kjo që jam sot. Forca dhe motivimi im janë fëmijët e mi.

Çfarë do t’i këshillonit vajzat dhe gratë që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e artit dhe letërsisë?

Të mos ndalen kurrë në rrugën drejt objektivave dhe qëllimeve të tyre. Të mos presin kushte perfekte për të nisur, por të fillojnë aty ku janë, me atë që kanë. Dhe mbi të gjitha, të mos heqin dorë, edhe kur rruga bëhet e vështirë.

A po punoni aktualisht për një libër të ri apo projekte të tjera artistike që mund t’i ndani me lexuesit tanë?

Po punoj për projekte të reja që do të sjellin një dimension tjetër në krijimtarinë dhe artin tim.

Nëse do ta përkufizonit jetën tuaj me vetëm tre fjalë, cilat do të ishin ato dhe pse?

Qëndresë, besim, forcë.

Në fund, cili është mesazhi juaj për lexuesit e “Albania Express News” dhe për të gjitha gratë që luftojnë çdo ditë për të realizuar ëndrrat e tyre?

Mos e braktisni veten për asnjë arsye. Gjithçka që ndërtoni fillon nga besimi tek vetja.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Pse narrativa se protestat dëmtojnë turizmin nuk qëndron

NGA AURON TARE Sot në mëngjes, në Portin e Sarandës...

Përmbyllet procesi i Vettingut, Peleshi: Drejtësia kaloi filtrin më të fortë në historinë e vendit

TIRANË ,17 qershor 2026/Albania Express News/Kryetari i Kuvendit, Niko...