Hita vlerëson dy diplomatë amerikanë për kontributin në forcimin e bashkëpunimit Shqipëri-SHBA

TIRANË, 15 qershor 2026 /Albania Express News/ Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua sot ceremonia e vlerësimit, me rastin e përfundimit të mandateve në Shqipëri, të zëvendësshefes së Misionit, në detyrë, në Ambasadën amerikane dhe shefit të Zyrës Rajonale të Sigurisë, në detyrë, në këtë ambasadë.

Në ceremoni mori pjesë drejtori i përgjithshëm Skënder Hita dhe drejtues të lartë të Policisë, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë nga Kathryn Hammond dhe Jonathan Ellis, gjatë viteve të shërbimit në Shqipëri.

Kontributi i të dyve ka vënë gurë të rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik dhe operacional ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve, si dhe në mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit shqiptar.

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë përshëndetëse, Hita shprehu mirënjohje për Hammond dhe Ellis, për ndihmën e pakursyer për Policinë e Shtetit, dhe theksoi se mbështetja në trajnime, logjistikë dhe hetime të përbashkëta, si dhe shkëmbimi i informacionit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve financiare dhe krimeve ndërkufitare, kanë njohur rezultate gjithnjë në rritje falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer.

Hita shprehu se edhe pse misioni i tyre në Shqipëri përfundoi, miqësia dhe partneriteti me vendin tonë do të vijojnë të mbeten të forta. Gjithashtu iu uroi suksese në detyrat e ardhshme.

Nga ana e tyre, Hammond dhe Ellis shprehën mirënjohje për bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Shtetit dhe institucionet shqiptare, duke shprehur besimin e tyre te Policia e Shtetit dhe te profesionalizmi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Ata vlerësuan rezultatet e arritura në luftën kundër krimit, mikpritjen dhe mbështetjen e ofruar gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri dhe theksuan se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ka qenë ndër përvojat më të mira profesionale të karrierës së tyre.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME