TIRANË, 15 qershor 2026/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama replikoi sot në distancë me një protestues, ndërsa u shpreh se “askush nuk kërkon mbyllje të debatit publik, por dhuna online dhe bullizimi i njerëzve në rrugë janë mbytje e debatit”.
Rama iu përgjigj komentit të Nertil Shulit, të cilin e vlerësoi për etikën, ndërsa e konsideroi një protestues atipik, i cili mendon ndryshe nga ai por nuk shan, nuk akuzon dhe nuk deliron online.
Duke iu përgjigjur komentuesit, Rama tha se asnjëherë nuk e ka menduar se protestat duhet t’i pëlqejnë qeverisë.
Lidhur me investimin në Sazan e Zvërnec, Rama tha se “qeveria nuk pretendon se ka ndjekur procedurat, qeveria i ka të gjitha faktet për këtë dhe transparenca është pikërisht rreshtimi i fakteve”.
“Askush nuk kërkon po ashtu mbyllje të debatit publik, po dhuna online, bullizimi i njerëzve në rrugë, bllokimi i rrugës së aeroportit nuk janë debat, po mbytje e debatit, helmim i hapësirës publike dhe dhunim i lirisë së lëvizjes”, shtoi Rama.
Sipas kryeministrit, të protestosh është legjitime dhe askush s’e ve në diskutim këtë.
“Por t’u bësh jehonë shpifjeve, gënjeshtrave, fabrikimeve si ato që tërhoqën vëmendjen e tërë botës që gjeti në Shqipëri shesh për përsheshet e veta politike, ideologjike apo deri edhe fetare, është goditje ndaj vendit padyshim”, shtoi ai.
Po ashtu, Rama theksoi se të bllokosh deri edhe rrugën e aeroportit është cenim i sezonit turistik dhe ekonomisë.
“Askush nuk i ka futur të gjithë protestuesit në një thes, po kjo protestë ka brenda mozaikut të saj nga të gjitha dhe “turmën e manipuluar” e thanë vetë protestuesit e zhgënjyer nga ikja pas berihait mbrëmë natën…”, replikoi Rama me protestuesin, sipas së cilit “etiketimi i mijëra protestuesve si ‘turmë e manipuluar’, ‘budallenj’ apo vegla të “forcave destruktive” nuk është argument politik, por është përçmim ndaj qytetarëve që mendojnë ndryshe”.
Po ashtu, në komentin e tij Shuli e konsideron shqetësuese idenë e kryeministrit se përfituesit e vetëm të protestës janë qeveria dhe partia në pushtet.
“Më vjen keq për shqetësimin por kjo është e vërteta, në fund dy përfitues realë do të ketë dhe e di pse? Pikërisht sepse kjo qeveri di të dëgjojë e të nxjerrë mësime, ndërsa Partia Socialiste ka me vete të vërteta të atilla, që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i dinë shumë mirë”, sqaroi Rama.
Në përfundim, kryeministri theksoi se problemi nuk janë shpjegimet, problemi mbetet kur disa nuk duan t’i dëgjojnë shpjegimet dhe as duan të komunikojnë qetësisht. “Rasti yt është shumë i rrallë në lumin e harbimit digjital”, iu drejtua Rama komentuesit.

