Shërbimi i Urgjencës në Spitalin e Elbasanit reagon pas videos në rrjetet sociale: “Pacientja refuzoi shtrimin, ndërhyrja u krye sipas protokolleve mjekësore”

ELBASAN ,13 qershor 2026/Albania Express News/ Shërbimi i Urgjencës pranë Spitalit Rajonal të Elbasanit ka dalë me një deklaratë publike për të sqaruar rrethanat e një videoje të publikuar së fundmi në rrjetet sociale, e cila ka ngjallur reagime dhe diskutime në opinionin publik.

Sipas deklaratës zyrtare, pamjet e publikuara paraqesin vetëm një pjesë të shkëputur të ndërhyrjes së ekipit të Urgjencës 127 dhe nuk pasqyrojnë të gjithë situatën që është menaxhuar nga personeli shëndetësor.

Shërbimi bën me dije se pacientja e përfshirë në këtë rast vuante nga një këmbë diabetike dhe, megjithëse stafi mjekësor i rekomandoi hospitalizimin, ajo ka refuzuar shtrimin në spital. Në këto kushte, pas konsultimit me mjekun përgjegjës, iu administrua trajtimi i nevojshëm simptomatik në përputhje me gjendjen e saj klinike dhe protokollet mjekësore në fuqi.

Në deklaratë sqarohet gjithashtu se gjatë ndërhyrjes, personi që realizonte filmimin i ka kërkuar infermierit administrimin e një medikamenti qetësues pa ekzistuar indikacion mjekësor. Kjo kërkesë është refuzuar nga personeli shëndetësor, duke respektuar detyrimet profesionale dhe ligjore që rregullojnë ushtrimin e profesionit.

Sipas Shërbimit të Urgjencës, pas këtij refuzimi infermieri është përballur me ofendime dhe sjellje fyese deri në momentin e mbërritjes së forcave të Policisë së Shtetit, të cilat janë njoftuar nga vetë stafi i urgjencës për menaxhimin e situatës.

Në reagimin e saj, Urgjenca e Elbasanit thekson se infermieri që shfaqet në video është një profesionist me mbi 30 vite eksperiencë në këtë shërbim, i njohur për profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin ndaj pacientëve.

Në përfundim të deklaratës, Shërbimi i Urgjencës u bën thirrje qytetarëve, mediave dhe opinionit publik që të vlerësojnë ngjarjen në tërësinë e saj dhe të mos nxjerrin përfundime bazuar vetëm në fragmente të shkëputura nga konteksti, duke nënvizuar se stafi i Urgjencës së Elbasanit vijon të jetë në shërbim të qytetarëve 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim maksimal ndaj çdo rasti që kërkon ndihmë mjekësore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Stuhia e fuqishme godet Kinën/ Shangai nën ujë, mbi 1 milion të evakuuar, paralajmërohet për përmbytje

KINË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Mbi 1 milion banorë...

Ministria e Shëndetësisë hap thirrjen për teknikët e shkencave mjekësore, aplikimet deri më 24 gusht

TIRANË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Hapet thirrja për teknikët...

Tmerr në Meksikë/ Pesë trupa të varur në një urë, rikthehet frika nga kartelet në Zacatecas

MEKSIKË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Pesë trupa të varur...

Grabitja e bujshme në rivierën franceze/ I vodhën turistit orën 300 mijë dollarëshe, 4 të arrestuar në Saint-Tropez

FRANCË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Bandat e organizuara që...