Zvërneci, Rama: Disa qeverisin për projektin e BE-së, të tjerët zgjedhin të protestojnë

TIRANË, 12 qershor 2026/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka asnjë provokim dhe përballje në faktin se aktiviteti për 35-vjetorin e PS-së do të zhvillohet në të njëjtën orë me protestën e paralajmëruar kundër investimit në Zvërnec.

Në një intervistë në emisionin “Shqipëria Live”, në Top Channel, Rama komentoi protestat e organizuara së fundit, ndërsa u shpreh se vota ndaj PS-së me shumicë domethënëse nuk e përjashton fare faktin që një pjesë e njerëzve që jetojnë në këtë vend dhe bashkëndajnë hapësirën demokratike me ata që na kanë votuar, kanë një opinion tjetër dhe duan ta shprehin.

Sipas Ramës, këto janë dy gjëra që nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

“Ne nuk jemi këtu për të treguar se kush është më i fortë, se kush e ka dhe nuk e ka mbështetjen, se nuk është një lojë, as sport, por është një marrëveshje shumë serioze me popullin shqiptar dhe është një kontratë që duhet zbatuar sipas programit për të cilin njerëzit na kanë votuar. Nuk është të tregojmë kush jam unë dhe kush jeni ju. Është një çështje punësh të ndara”, tha Rama.

Sipas tij, “disa janë zgjedhur për të drejtuar dhe çuar para një projekt historik, anëtarësimin në BE, dhe disa të tjerë kanë zgjedhur të protestojnë kundër tyre, dhe kjo është krejt normale në dialektikën e jetës demokratike”.

Lidhur me organizimin e aktivitetit për 35-vjetorin e PS-së në të njëjtën orë me protestën kundër investimit në Zvërnec, Rama tha se përgatitjet kanë nisur muaj para se të shfaqej kjo protestë.

“Së dyti, 12 qershori është dita e lindjes së PS-së dhe ne nuk e spostojmë dot ditëlindjen se ka një protestë. Ora është e përshtatshme për faktin se nuk jemi më në temperaturat e mëparshme dhe nuk mund t’i themi njerëzve të mblidhen në pikë të diellit. Ndërkohë që ne do të mbarojmë shumë më shpejt se ata që duan të shëtisin në rrugët e Tiranës. Nuk ka asnjë provokim, asnjë përballje, asnjë shqetësim. Jeta demokratike vazhdon”, shtoi Rama.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME