Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula në konferencë për shtyp me gazetarët në Elbasan: “Tolerancë zero ndaj ndotësve të mjedisit dhe abuzuesve me pasuritë natyrore”

ELBASAN ,11 qershor 2026/Albania Express News/Në konferencën për shtyp të zhvilluar me gazetarët në Elbasan, Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula përcolli një mesazh të qartë për forcimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke vënë në qendër të vëmendjes dy nga problematikat më të mëdha që prekin qarkun: ndotjen e mjedisit dhe shkatërrimin e lumenjve Shkumbin e Devoll.

Në fjalën e tij, Sula u shpreh se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve do të jetë prioritet absolut i institucionit që ai drejton, duke paralajmëruar masa të forta ndaj çdo subjekti që shkel ligjin dhe ndot mjedisin.

“Tolerancë zero ndaj kujtdo që cenon mjedisin dhe dëmton qytetarët. Nuk kemi asnjë qëllim të dëmtojmë bizneset, por jeta dhe shëndeti i njerëzve janë mbi çdo interes tjetër ekonomik. Në rastet kur konstatohen shkelje të rënda dhe të përsëritura, do të shkohet deri në masat më ekstreme, përfshirë edhe heqjen e licencave,” deklaroi ai.

Një tjetër shqetësim madhor i ngritur gjatë konferencës ishte situata alarmante e lumenjve Shkumbin dhe Devoll, të cilët sipas Kryeinspektorit janë dëmtuar rëndë gjatë viteve të fundit nga ndërhyrjet dhe shfrytëzimi abuziv.

Sipas Sulës, disa subjekte kanë tejkaluar kufijtë e lejeve mjedisore të marra për shfrytëzimin e lumenjve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekosistem dhe në balancën natyrore të zonës. Ai kërkoi që institucionet përgjegjëse të ushtrojnë me rigorozitet kompetencat ligjore dhe të marrin masa konkrete ndaj çdo shkeljeje, pa asnjë kompromis.

Inspektori njoftoi gjithashtu se është në përgatitje një reformë e thellë në funksionimin e inspektoriateve, me synim rritjen e efikasitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë së tyre.

“Reforma nuk do të prekë vetëm subjektet që shkelin ligjin, por edhe vetë strukturat inspektuese. Çdo inspektor që nuk kryen detyrën, shpërdoron përgjegjësinë ose vepron në kundërshtim me ligjin do të përballet me masa të menjëhershme,” theksoi ai.

Një nga risitë e prezantuara gjatë konferencës ishte edhe funksionalizimi i portalit sigurt.gov.al, një mekanizëm i ri që u jep qytetarëve mundësinë të denoncojnë çdo shkelje të ligjit, qoftë nga subjektet private apo edhe nga vetë punonjësit e institucioneve shtetërore.

Sipas Sulës, platforma garanton ruajtjen e plotë të anonimatit të denoncuesve dhe synon të krijojë një urë më të fortë bashkëpunimi mes qytetarëve dhe institucioneve, duke inkurajuar raportimin e çdo rasti abuzimi, korrupsioni apo shkeljeje që cenon interesin publik.

Konferenca në Elbasan përcolli një mesazh të qartë se lufta kundër ndotjes së mjedisit, mbrojtja e pasurive natyrore dhe rritja e përgjegjshmërisë së institucioneve do të jenë ndër prioritetet kryesore të punës së Inspektorit të Përgjithshëm, me fokus të veçantë te zbatimi i ligjit, transparenca dhe mbrojtja e interesit të qytetarëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME