Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku : Ligji i Investimeve Strategjike favorizon pakicën dhe dëmton pronën e qytetarëve

TIRANË, 10 qershor 2026 /Albania Express News/ Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku ka publikuar një video në rrjetet sociale ku rikthen në vëmendje kundërshtimin e vazhdueshëm që ajo dhe Partia Demokratike kanë bërë ndër vite ndaj Ligjit të Investimeve Strategjike, një ligj që sipas saj është kthyer në instrumentin kryesor të shpërndarjes së favoreve për një grup të ngushtë përfituesish.

Tabaku thekson se beteja kundër këtij ligji nuk është e re, por daton që nga momenti kur ai u propozua për herë të parë në vitin 2015 si një masë e përkohshme. Në atë kohë, Partia Demokratike kundërshtoi projektligjin dhe paraqiti amendamente që lidhnin kryesisht me mbrojtjen e pronës private, duke argumentuar se dispozitat e tij cenonin të drejtat kushtetuese të pronarëve.

Sipas Tabakut, zhvillimet e mëvonshme i kanë dhënë të drejtë opozitës, pasi ligji jo vetëm që është zgjatur vazhdimisht, por është shndërruar de facto në një mekanizëm të përhershëm që ka prodhuar konflikte sociale, abuzime me pronën dhe mungesë konkurrence.

“Ne sot po shohim pasojat e ligjit më korruptiv që Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar në 10 vitet e fundit. Që në momentin e parë kur ky ligj u propozua si një ligj i përkohshëm, kemi dorëzuar amendamente për çështjen e pronës, duke gjykuar se ligji është antikushtetues dhe cenon të drejtën private të pronës. Koha na dha të drejtë”, shprehet Tabaku.

Ajo kujton se gjatë dekadës së fundit ligji është shtyrë të paktën pesë herë dhe në secilin rast Partia Demokratike ka kërkuar pezullimin ose shfuqizimin e tij. Një prej nismave më të forta erdhi tre vite më parë, kur Tabaku depozitoi një propozim për shfuqizimin e plotë të ligjit, duke argumentuar se ai ishte kthyer në një skemë privilegjesh dhe trajtimi preferencial për pak individë në kurriz të interesit publik.

Deputetja demokrate argumenton gjithashtu se ligji nuk ka përmbushur as objektivin e deklaruar për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Ligji në fund të ditës nuk ka sjellë absolutisht asnjë zhvillim ekonomik dhe nuk ka sjellë investime të huaja. Në listën e gjatë prej 80 vendimesh të Komitetit të Investimeve Strategjike, vetëm dy mund të konsiderohen investime të huaja”, deklaron ajo.

Sipas Tabakut, në praktikë ligji ka shërbyer kryesisht për dhënien e lejeve për resorte turistike dhe projekte të tjera në zonat bregdetare, duke krijuar konflikte me pronarët legjitimë dhe duke favorizuar përfitues të veçantë përmes procedurave të përshpejtuara dhe përjashtimeve fiskale.

“Është një ligj që ndihmon dhe favorizon pakicën, si shumica e ligjeve që kanë kaluar në këtë Parlament”, shprehet ajo.

Deputetja e PD-së e lidh debatin për Ligjin e Investimeve Strategjike edhe me protestat e fundit qytetare, duke argumentuar se ai është bërë simbol i mënyrës sesi është qeverisur vendi gjatë viteve të fundit.

“Ky ligj sot është kthyer edhe në arsyen e protestës së mijëra qytetarëve, sepse ngre pikëpyetje për procesin e integrimit, për mënyrën se si kjo qeveri ka punuar, për sistemin që ka ngritur, për favoret që ka shpërndarë dhe për mënyrën se si e trajton Shqipërinë si plaçkë”, deklaron Tabaku.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Një ditë nga starti i Kupës së Botës 2026, njihuni me formacionet e mundshme të 48 ekipeve pjesëmarrëse

BOTËRORI 2026,10 qershor 2026/Albania Express News/Vetëm një ditë na...

Protestë Homo Sapiens apo Homoseksuale?

Nga Klevi Elezi, Analist Protesta është një nga shprehjet më...

Kryeministri Edi Rama: Milot-Balldren do t’i japë një shtysë të re turizmit dhe ekonomisë në veri të vendit

TIRANË, 10 qershor 2026/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama...