Nga Klevi Elezi, Analist
Protesta është një nga shprehjet më të rëndësishme të demokracisë. Qytetarët kanë të drejtë të dalin në shesh, të kundërshtojnë vendime që i konsiderojnë të padrejta dhe të mbrojnë atë që besojnë se është në interesin publik. Në këtë kuptim, askush nuk duhet të vërë në dyshim të drejtën e protestuesve për të ngritur zërin.
Por një pyetje tjetër meriton të shtrohet: në protestë po shkohet vetëm me zemër, apo edhe me mendje? Njerëzit janë “homo sapiens” që do të thotë qenie inteligjente, ndaj a ështe mendja dhe kthjellësia ne veprim në këtë protestë.
Për shembull, në protestë ka prezencë dominuese nga OJF majtiste që para pak kohësh mbaheshin financiarisht nga USAID. Presidenti Trump e mbylli USAID-in duke u privuar mbështetjen financiare OJF-ve në botë e sidomos në Shqipëri. Mendoni, A bën kjo sens pse fryma anti-Trump dominon në protesta?
Nismat e koalicionit të profamiljes u sulmuan nga OJF pro LGBTQ+ e menjëhere simboli i flamengos rozë i lidhur me LGBTQ+ tashmë është zyrtarizuar si simboli i protestave. Çdo kategori duhet respektuar e aspak diskriminuar por mendja duhet të kuptojë a e dinë protestuesin agjendën e kësaj kategorie e cila bie në kundërshtim të hapur, e siç është vërtetuar përmes padive gjyqësore, është haptazi kundër familjes tradicionale? A e dinë ata që protestojnë kundër ndërhyrjes hormonale për transgjinorët që mbi kokat e tyre tunden mesazhe dhe simbole LGBTQ+?
Si vendi më pro-amerikan në rajon dhe me një histori unike të mbrojtjes së hebrenjve parrullat antisemite dhe antiamerikane dëshmojnë qartazi ndërhyrje të jashtme për të përçarë marrëdhënien e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe SHBA dhe me Izraelin. Cilido protestues i sinqertë a e di që përbri tij apo saj tunden parrulla anti-Trump e anti-Izrael?
Gjithashtu, elementë neomarksistë dhe ekstremë majtistë të shpallur po e shfrytëzojnë protestën për kredenciale politike dhe ideologjinë e tyre. Kjo është e drejtë demokratike por a kuptohet nga patriotët e vërtetë që protestojnë që agjenda ekstreme majtiste dhe marksiste kundërshton pikërisht nocionin e nacionalizmit dhe patriotizmit, pasi besojnë në përbashkimin universal pa kufij? A e përforcon këtë fakt edhe ndjekja orë pas ore që media e shpallur majtiste botërore po i bën protestave?
Ekstremistë fetarë po luftojnë Izraelin. Kurrë më parë nuk ka patur parrura anti-Izrael në rrugët e Tiranës apo Shqipërisë. Media iraniane po përdor fotot e fëmijëve shqiptarë për propagandë anti amerikane duke bërë që protesta më shumë të duket se ka qëllim luftën kundër Trump dhe investitorëve të mëdhenj si Kushner se sa çështjet e brendshme.
Në lidhje me Kushner. Kundërshtimi ndaj një investimi të caktuar mund të jetë i arsyeshëm. Askush nuk është i detyruar të pranojë çdo projekt vetëm sepse premton zhvillim ekonomik. Por së pari ata që e kundërshtojnë duhet të kuptojnë më së miri situatën dhe procesin dhe debati nuk mund të mbarojë te fjala “jo”. Por duhet të shterojnë edhe pyetjen – Çfarë ndodh më pas?
Nëse investitorë të mëdhenj ndërkombëtarë përballen me kundërshtim të fortë të panegociueshëm dhe vendosin të largohen, çfarë sinjali u jepet investitorëve të tjerë? A do të ndihen më të sigurt për të ardhur në Shqipëri apo më të pasigurt? A është analizuar ky aspekt me të njëjtin seriozitet me të cilin analizohen rreziqet e projekteve? Nëse dëbohet pa asnjë shpjegim Kushneri, një ndër emrat më të mëdhenj të investimit në botë, kujt investitori tjetër me të vogël do ia mbajë të vijë në Shqipëri?
Pika tjetër. SHBA ka zgjedhje për Kongresin në Nëntor, e bie në sy që majtistët po e luftojnë Trump-in nga Tirana. Një super mundësi për ta teksa rrugët mbushen përplot me njerëz që në fakt protestojnë për arsye të ndryshme. Ndaj edhe politikanët majtistë amerikanë dhe evropianë i kanë sytë nga Tirana. Jo për flamengot por po u jepet oksigjen për betejën kundër Trump.
Gjithashtu shtrohet pyetja? A ka lëvizje të huaja dashakeqe brenda protestët për të minuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe samitin e NATOs në Tiranë vitin që vjen, ku mund të diskutohet edhe anëtarësimi i Kosovës në aleancën Euro-Atlantike? A duhet të jetë i vëmendshëm çdo protestues në lidhje me këto?
Po aq interesante është edhe prania e faktorëve politikë. Në çdo protestë ka përpjekje për kapitalizim politik. Kjo është normale. Por partitë duhet të pyesin veten nëse po mbështesin një kauzë qytetare apo thjesht po kërkojnë një mjet për të goditur kundërshtarin.
Është vënë re që elementë të PD, me sa duket nga dëshpërimi i pamundësisë për të rrëzuar Ramën i bashkohen protestës, por, a e kuptojnë ata që falë Ramës ata mbahen pas alibisë së qeverisjes së tij që sot janë parti e dytë, pasi pa Ramën, e nën këtë lëvizje protestash PD bie nga e dyta e zbret shumë më poshtë si forcë politike?
Zemra është padyshim në aksion. Shumë qytetarë kanë dalë në protestë sepse ndiejnë shqetësim për zhvillime që prekin mjedisin, trashëgiminë, pronën publike ose drejtimin që po merr vendi. Ky është një reagim legjitim në një shoqëri të lirë.
Megjithatë, nëse pranojmë se zemra është e përfshirë, atëherë duhet të hapim edhe sytë e mendjes. Kush janë grupet që po marshojnë krah për krah? Çfarë synimesh kanë? Dhe a janë të gjitha këto synime të njëjta?
Në protesta shihen aktivistë mjedisorë, organizata joqeveritare, aktivistë të të drejtave civile, parti politike, grupe me orientime të ndryshme ideologjike dhe seksuale, individë me motive krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Disa janë të përqendruar te mjedisi. Të tjerë te politika. Disa kundërshtojnë qeverinë. Të tjerë kundërshtojnë modele të caktuara zhvillimi ekonomik. Ka edhe nga ata që e shohin protestën si pjesë të një beteje më të gjerë kulturore apo ideologjike.
Kjo krijon një pyetje thelbësore: a është protesta një lëvizje me një qëllim të qartë, apo një bashkim i përkohshëm i grupeve që ndajnë vetëm kundërshtimin e momentit?
Në historinë politike shpesh janë krijuar aleanca të çuditshme. Njerëz që nuk do të uleshin kurrë në të njëjtën tavolinë, gjenden papritur në të njëjtin shesh. Kjo nuk është domosdoshmërisht e gabuar. Por qytetari i zakonshëm duhet të dijë se po bashkohet me një kauzë konkrete dhe jo me të gjitha agjendat që mund të jenë të pranishme brenda saj të cilat janë edhe anti-kombëtare.
Parrullat anti amerikane dhe anti Izraelit janë anti-kombëtare e askush nuk duhet t’i mbështesë.
Në fund, pyetja nuk është nëse protesta është e drejtë apo e gabuar. Pyetja është nëse qytetarët e kuptojnë plotësisht mozaikun e forcave që veprojnë brenda saj.
Kur sheh pankartat, sloganet, organizatorët, grupet mbështetëse dhe debatet në rrjetet sociale, lind një dilemë: a kemi të bëjmë me një lëvizje të bashkuar nga një vizion i përbashkët për Shqipërinë, apo me një bashkim të përkohshëm interesash, ideologjish dhe pakënaqësish që shpesh nuk kanë asgjë të përbashkët mes tyre?
Protesta është e shëndetshme për demokracinë. Por demokracia nuk kërkon vetëm zemër. Kërkon edhe mendje të kthjellët.
Prandaj, para se të pyesim se kush është kundër kujt, ndoshta duhet të shtrojmë një pyetje më të thjeshtë: a e gjen veten qytetari i zakonshëm shqiptar te të gjitha grupet që flasin në emrin e tij? A është një homo sapiens patriot apo marksist? A është një homo sapiens pro familjes apo pro homoseksualizmit? A është pro zhvillimit dhe investimeve përmes transparencës apo pro kundërshtimit të çdo nisme zhvillimore “imperialiste”?
Kjo është pyetja që duhet të bëjë çdo protestues me sytë hapur. Cilës kategori i përket?

