TIRANË,6 qershor 2026/Albania Express News/ Kanë mbetur vetëm pak minuta nga nisja e sfidës mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, me “Air Albania” që është gati të presë përballjen e fundit të kuqezinjve për këtë sezon futbollistik. Pas humbjes minimale ndaj Izraelit disa ditë më parë, atmosfera në kampin shqiptar është e mbushur me dëshirën për reagim dhe për ta mbyllur grumbullimin e qershorit me një rezultat pozitiv.
Lojtarët kanë përfunduar nxehjen në fushë, ndërsa tifozët e pranishëm në tribunat e stadiumit po presin me entuziazëm hyrjen e skuadrave dhe ekzekutimin e himneve kombëtare. Për trajnerin Rolando Maran, kjo sfidë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të marrë përgjigje nga grupi dhe për të krijuar besim në fillimin e aventurës së tij në stolin kuqezi.
Tekniku italian ka vendosur të bëjë vetëm tre ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen ndaj Izraelit. Në vend të Ajetit, Mehmetit dhe Brojës do të luajnë Pllana, Bajrami dhe Uzuni. Ky i fundit rikthehet pas problemeve shëndetësore që e lanë jashtë ndeshjes së parë miqësore dhe pritet të jetë një nga pikat kryesore të sulmit shqiptar.
Shqipëria do të rreshtohet me Sherrin në portë, ndërsa katërshja mbrojtëse përbëhet nga Hysaj, Pllana, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesfushë do të veprojnë Ramadani, Asllani dhe Laçi, me Bajramin dhe Hoxhën që do të mbështesin Uzunin në repartin ofensiv.
Përballë do të jetë një Luksemburg ambicioz, skuadër që vitet e fundit ka treguar rritje të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare dhe që synon të konfirmojë progresin e saj edhe në Tiranë.

