Rolando Maran bën vetëm tre ndryshime, publikohet formacioni i Shqipërisë për miqësoren me Luksemburgun

NGA FATMIR POPJA

TIRANË ,6 qershor 2026/Albania Express News/Shqipëria zbret mbrëmjen e sotme në fushën e  stafiumit “Air Albania” për të zhvilluar sfidën e dytë miqësore të muajit qershor ndaj Luksemburgut, një ndeshje që merr rëndësi të veçantë pas humbjes minimale 1-0 kundër Izraelit pak ditë më parë. Kuqezinjtë synojnë të reagojnë menjëherë, duke mbyllur këtë grumbullim me një rezultat pozitiv dhe duke rikthyer entuziazmin te tifozët.

Trajneri Rolando Maran, i cili po drejton Kombëtaren në javën e tij të parë në pankinë, ka vendosur të mos bëjë revolucion në formacion, por vetëm tre ndryshime krahasuar me ekipin që zbriti në fushë ndaj Izraelit. Tekniku italian duket se ka zgjedhur të ruajë boshtin kryesor të skuadrës, duke i dhënë vazhdimësi projektit dhe ideve që po përpiqet të implementojë te kuqezinjtë.

Në mbrojtje, Arlind Ajeti lë vendin për Pllanën, i cili fiton besimin e stafit teknik për të formuar repartin qendror së bashku me kapitenin Berat Gjimshiti. Në mesfushë dhe repartin ofensiv, Nedim Bajrami rikthehet titullar në vend të Anis Mehmetit, i cili mungon për shkak të një viroze që e ka mbajtur larg ekipit në ditët e fundit.

Ndryshimi i tretë dhe më i rëndësishmi vjen në sulm, aty ku Myrto Uzuni rikthehet nga minuta e parë pasi ka lënë pas problemet shëndetësore që e penguan të ishte i gatshëm për ndeshjen ndaj Izraelit. Sulmuesi beratas pritet të sjellë më shumë lëvizshmëri dhe rrezikshmëri në fazën sulmuese, ku Shqipëria kërkon të tregojë një fytyrë më bindëse.

Një moment i veçantë i kësaj sfide është edhe paraqitja e Elseid Hysajt, i cili vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme të Kombëtares dhe udhëheq skuadrën me eksperiencën e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Maran ka besuar një formacion të balancuar, me Thomas Strakoshën që mungon dhe portën që i besohet Sherrit, ndërsa në mbrojtje rreshtohen Hysaj, Pllana, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesin e fushës do të veprojnë Ramadani, Asllani dhe Laçi, tre lojtarë që kanë detyrën të kontrollojnë ritmin e lojës dhe të furnizojnë repartin ofensiv. Më përpara do të luajnë Bajrami dhe Hoxha në mbështetje të Uzunit, i cili do të jetë pika kryesore e referimit në sulm.

Nga ana tjetër, Luksemburgu vjen në Tiranë me synimin për të konfirmuar progresin e viteve të fundit. Skuadra e drejtuar nga Xhef Shtraser është një kundërshtar që nuk duhet nënvlerësuar, pasi ka treguar vazhdimisht se mund të rivalizojë me ekipe më të forta në arenën ndërkombëtare.

Për Shqipërinë kjo sfidë është më shumë se një miqësore. Është një test i rëndësishëm për të parë reagimin e skuadrës pas humbjes me Izraelin, për të fituar besim dhe për t’i dhënë trajnerit të ri sinjale pozitive për të ardhmen. Tifozët kuqezi presin një paraqitje bindëse, gola dhe një fitore që do të sillte optimizëm në prag të sfidave të ardhshme zyrtare.

Formacionet zyrtare

Shqipëria: Sherri, Hysaj, Pllana, Gjimshiti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Bajrami, Hoxha, Uzuni.
Trajner: Rolando Maran

Luksemburgu: Pereira, Karlson, Koraç, Jans, Pinto, Martins, Moreira, Dardari, V. Til, Duarte, Sinani.
Trajner: Xhef Shtraser

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Mevlan Shanaj letër të hapur Ramës: Pse na zhgënjeve ne që të besuam?

TIRANË ,10 qershor 2026/Albania Express News/Regjisori, aktori dhe producenti...

Ambasadorja Luela Hajdaraga pret homologun e Luksemburgut në Athinë, në fokus integrimi evropian dhe bashkëpunimi ekonomik

ATHINË ,10 qershor 2026/Albania Express News/Ambasadorja e Republikës së...

“Të kthehen emigrantët”/ Greqia ashpërson ligjin për emigracionin, ‘plas’ debati në parlament

GREQI ,10 qershor 2026/Albania Express News/Një debat i ashpër...