“Më 26 maj Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë”/ Rama në podkastin “Flasim”: BE konfirmon përmbushjen e të gjitha detyrave

TIRANË,31 maj 2026/Albania Express News/Kryeministri Edi Rama foli në Shënimet e Javës në podkastin “Flasim” për hapjen e fazës së mbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Javën që lamë pas, pikërisht më 26 maj, si për një ironi apo buzëqeshje të fatit, 30 vjet pas 26 majit të dhunës, të përgjakjes së opozitës, të grabitjes së votave dhe të vulosjes së një sundimi autokratik me tipare diktatoriale në Shqipëri, erdhëm në ditën kur Shqipëria hyri në fazën e re dhe të fundit të rrugëtimit të saj europian, duke mbyllur fazën e çeljes së kapitujve të negociatave dhe duke hapur fazën e mbylljes së tyre.
Pra, më 26 maj, Shqipëria u ngjit në pikën më të lartë ndonjëherë në këtë të përpjetë të mundimshme historike dhe tanimë maja ku do të ngjitemi së bashku dhe do të vendosim flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe të Gjergj Kastriotit, duke i dhënë kuptim dhe duke i dhënë sens të plotë një historie të stërgjatë ëndërrimi për Bashkimin Europian sot, por për atë që ishte hapësira e diellit që lind andej nga perëndon deri dje, është më afër se asnjëherë.

Është një moment jashtëzakonisht kuptimplotë i kësaj rruge drejt anëtarësimit dhe është, në të njëjtën kohë, edhe një certifikim absolut i një pune të palodhur të një kohe të gjatë. Është një moment që sigurisht vjen me shumë satisfaksion, por njëkohësisht vjen edhe me shumë përgjegjësi, pasi ky nuk është thjesht një sukses në rrugën e negociatave dhe kjo nuk është një datë në kalendarin e integrimit, por është një rezultat i transformimeve të thella që vendi ynë ka bërë në dekadën e fundit, i reformave tejet të vështira e sfiduese, i konstatimit se institucionet tanimë janë ngritur, por njëkohësisht edhe i domosdoshmërisë për të konsoliduar shtetin ligjor, për të konsoliduar hapësirën e lirive individuale dhe për të konsoliduar atë që është thelbi, përpjekja për barazi përpara ligjit.
Është domethënëse që Bashkimi Europian konfirmon faktin e përmbushjes së suksesshme të të gjitha detyrave të deritanishme, pikërisht në ato fusha që lidhen me drejtësinë, me luftën kundër korrupsionit dhe me funksionimin e institucioneve demokratike, dhe sa një arsye për të qenë krenarë, aq edhe një arsye për të ndjerë të gjithë peshën e përgjegjësisë në këtë fazë të fundit, e cila nuk është më e lehta, por është më e vështira, për të cilën kemi një kalendar të dakordësuar me Komisionin Europian, që të arrijmë me sukses mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027. Kemi një hapësirë të ndërmjetme në vitin 2028 dhe kemi objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030″, tha Rama.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rubin Hebaj drejt rikthimit te Vllaznia?

Nga Prof.Dr.Xhevdet Zekaj Flitet se Rubin Hebaj është pranë rikthimit...

Negociatat SHBA-Iran në krizë/ Vonesa e Khameneit në miratimin e marrëveshjes irriton Trump

SHBA,31 maj 2026/Albania Express News/Negociatat mes SHBA-së dhe Iranit...

Vizita e ministrit Hoxha në Kosovë, takohet me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu dhe kryeministrin Albin Kurti

PRISHTINË,31 maj 2026/Albania Express News/Ministri për Evropën dhe Punët...