Nga Bujar Qesja
DURRËS,30 maj 2026/Albania Express News/Ka çaste kur jeta dhe sporti ndërthuren në mënyrë të pazakontë. Ka ditë kur stadiumet, arenat dhe ekranet mbushen me emocionet e një finaleje të madhe, ndërsa diku larg, në heshtje, fiket një yll që për dekada të tëra ka ndriçuar sportin shqiptar.
Kështu ndodhi edhe në fundin e këtij maji. Teksa miliona sportdashës ndiqnin finalen e Ligës së Kampionëve në futboll, një lajm i trishtë mbërriti nga Rimini i Italisë. Një kampion i madh u largua nga jeta. Kreshnik Tartari, një prej figurave më të shquara të volejbollit shqiptar, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 83-vjeçare, duke lënë pas një histori të rrallë suksesi, dinjiteti dhe përkushtimi.
Lajmin ma përcolli vëllai i tij, miku im i vjetër Gramoz Gjikolli. Ishte nga ato lajme që të mpijnë për një çast. Në ekran luhej për një titull kampioni, ndërsa në jetën reale humbnim një kampion të vërtetë.
I lindur më 21 korrik 1943, Kreshnik Tartari ishte bir i një familjeje të njohur durrsake. Ai vinte nga fisi i respektuar i Tartarëve të Durrësit, një familje e lidhur ngushtë me sportin. Babai i tij, Nimet Tartari, ka qenë futbollist i “Teutës” në vitet ’30, duke luajtur përkrah emrave legjendarë si Niko Dovana, Anastas Moisiu, Mikel Nushi, vëllezërit Margariti dhe Kristaq Pizha. Ishte një trashëgimi sportive që Kreshniku do ta nderonte në mënyrën më të shkëlqyer.
Dy motrat e tij ishin binjaket e njohura Anita dhe Didi Tartari, artiste të shquara të muzikës shqiptare. Vëllezërit e tij janë Artan Tartari, operator i TVSH-së, Ilir Tartari, historian dhe pedagog, si dhe Gramoz Tartari, inxhinier.
Emri i Kreshnik Tartarit lidhet pazgjidhshmërisht me Dinamon e madhe të volejbollit shqiptar. Nën drejtimin e trajnerit vizionar Vangjel Koja, ai u formua si sportist dhe u shndërrua në një nga figurat qendrore të ekipit që dominoi volejbollin shqiptar për vite me radhë.
Kapiten skuadre, lider në fushë dhe shembull jashtë saj, Tartari luajti përkrah emrave që sot përbëjnë historinë e këtij sporti, si Asllan Rusi, Ylli Shehu, Kiço Lena, Enis Terihati dhe shumë të tjerë.
Por madhështia e tij nuk mbeti vetëm te roli i lojtarit. Pas përfundimit të karrierës sportive, ai do të shkëlqente edhe si trajner. Në vitet ’80, skuadra e femrave e Dinamos, nën drejtimin e Kreshnik Tartarit, u shndërrua në një forcë të respektuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën europiane. Ishin vitet kur volejbolli shqiptar arrinte rezultate që edhe sot kujtohen me krenari.
Kreshnik Tartari ishte reformator në mendim dhe modern në qasje. Zotëronte kulturë të gjerë, aftësi drejtuese dhe vizion për zhvillimin e sportit. Për këtë arsye, ai u ngarkua me detyra të rëndësishme shtetërore, duke shërbyer deri në postin e zëvendësministrit të Sporteve. Më pas, përvoja e tij u vlerësua edhe jashtë vendit, ku drejtoi për disa vite Kombëtaren e San Marinos në volejboll, duke lënë gjurmë profesionalizmi dhe serioziteti.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, shteti shqiptar e nderoi me titujt më të lartë. Ai u shpall “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe në vitin 2013 mori dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, një vlerësim që përmbledh më së miri gjithçka i dha sportit shqiptar.
Pas suksesit publik qëndronte edhe njeriu familjar. Ai ndërtoi një familje të bukur me bashkëshorten Nigda, vajzën e intelektualit të njohur doktor Medar Shtylla dhe motrën e okulistit të njohur Ylli Shtylla. Ishte baba i dy vajzave, Andia dhe Dania, të cilave u la trashëgim jo vetëm emrin e mirë, por edhe vlerat e ndershmërisë, kulturës dhe përkushtimit.
Muajt e fundit shëndeti i tij u rëndua. Problemet kardiake dhe vështirësitë shëndetësore e kufizuan veprimtarinë e tij, por nuk ia zbehën kurrë dinjitetin. Ai mbeti deri në fund njeriu i urtë, i matur dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin ta njohin.
Edhe gazeta “Teuta Sport”, me botues Bujar Qesjen, e botuar në vitet ’90, ka arsye të veçantë për ta kujtuar me mirënjohje. Kreshnik Tartari ishte mik i çmuar i saj. Ai e ndihmoi sipas mundësive, me këshilla, mbështetje morale dhe materiale, duke treguar edhe njëherë zemërgjerësinë që e karakterizonte.
Më 3 qershor 2026, në Itali do të zhvillohet ceremonia e fundit e lamtumirës. Familjarë, miq, kolegë, sportistë dhe admirues do të përcjellin për në banesën e fundit një njeri që për dekada të tëra ishte simbol i përkushtimit dhe suksesit.
Kreshnik Tartari largohet fizikisht, por jo nga kujtesa e sportit shqiptar. Rekordet, titujt kampionë, fitoret, skuadrat që ndërtoi dhe njerëzit që frymëzoi do të vazhdojnë të flasin për të.
Kampionët e vërtetë nuk maten vetëm me trofe. Ata vlerësohen edhe nga gjurma që lënë në historinë e një kombi.
Ndaj, në mbrëmjen e 30 majit 2026, kur futbolli kurorëzonte kampionët e rinj të Europës, Shqipëria humbi një nga kampionët e saj më të mëdhenj. Dhe kjo është një humbje që nuk matet me rezultate apo medalje, por me boshllëkun që lë pas një personalitet i rrallë.
Lamtumirë, Kreshnik Tartari!
Emri yt do të mbetet përherë në panteonin e artë të sportit shqiptar.
Lot dhe dhimbje për ty, i paharruari ynë!
Pas miqve të tu të shtrenjtë e shumë të dashur, si Kiço Blushi, Rikard Ljarja, Agron Çobani, Alfons Gurashi, Betim Muço dhe Enea Muça, humbëm përgjithmonë edhe ty, por kurrë emrin dhe veprën që le pas.
Veçanërisht Durrësi dhe durrsakët kanë arsye më shumë për të të kujtuar. Ti i nderove ata duke luajtur ndeshje europiane në Durrës dhe qyteti të dha dashurinë e respektin e merituar.
Dheu të qoftë i lehtë, Kreshnik Tartari, Kreshniku i përjetshëm i sportit dhe volejbollit shqiptar!



