Emri i tij në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD, juristi Jordan Daci: Nuk jam anëtar i partisë, nuk kam paraqitur asnjë pëlqim

TIRANË,30 maj 2026/Albania Express News/Teksa mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, një reagim aspak i pritshëm ka ardhur nga ana e juristit Jordan Daci. Ky i fundit ka emrin në fletën e votimit si kandidat, por përmes një deklarate publike shprehet se nuk është në dijeni për këtë.

Jordan Daci deklaron se emri i tij është përfshirë në mënyrë të paautorizuar si i propozuar për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Ai thekson se nuk është anëtar i PD-së dhe nuk ka dhënë asnjë pëlqim apo kërkesë për të kandiduar në strukturat e partisë.
Sipas tij, përfshirja e emrit nuk përfaqëson vullnetin e tij personal apo profesional dhe nuk duhet interpretuar si angazhim politik.

Ai nënvizon se aktualisht është i fokusuar në kandidimin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe ruan parimet e paanësisë dhe pavarësisë. Në fund, kërkon që emri i tij të mos përdoret në kontekste politike dhe deklaron angazhim vetëm ndaj Kushtetutës dhe ligjit.
“Në lidhje me një informacion të bërë publik së fundmi, sipas të cilit emri im rezulton i propozuar si kandidat për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ndjej detyrimin të sqaroj me korrektësi dhe qetësi se nuk jam anëtar i Partisë Demokratike, nuk kam paraqitur asnjë kërkesë, pëlqim apo shprehje vullneti për të kandiduar në strukturat e saj, dhe nuk kam pasur dijeni paraprake për një propozim të tillë.
Duke ruajtur respektin për çdo qytetar apo strukturë që mund të ketë vlerësuar emrin tim, si dhe duke falënderuar cilindo propozues që mund të ketë vepruar me mirëbesim, më duhet të shprehem qartë se nuk pajtohem me përfshirjen e emrit tim në këtë proces dhe kërkoj që ai të mos konsiderohet si shprehje e vullnetit tim personal, profesional apo publik.
Aktualisht, zgjedhja ime institucionale dhe profesionale është e lidhur me kandidimin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, i qëndroj me përgjegjësi të plotë parimeve kushtetuese të pavarësisë, paanësisë, integritetit dhe mospërfshirjes në veprimtari politike, të cilat janë thelbësore për çdo kandidat që synon t’i shërbejë vendit në një funksion të tillë të lartë kushtetues.
Ky sqarim nuk synon të krijojë debat publik, polemikë apo keqkuptim politik, por vetëm të shmangë çdo interpretim të pasaktë mbi pozicionin tim. Unë nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e këtij procesi politik, dhe emri im nuk duhet të përdoret apo të interpretohet si shenjë përkatësie, mbështetjeje apo angazhimi partiak.
Do të vijoj me seriozitet, përulësi dhe përgjegjësi rrugën institucionale të kandidimit për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen se, nëse organet përkatëse të emërtesës do të më besojnë këtë detyrë, do t’i shërbej Republikës së Shqipërisë vetëm mbi bazën e Kushtetutës, ligjit, pavarësisë dhe interesit publik”, shkruan Daci në deklaratën publike.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME