Kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha: “Naim Frashëri mbetet frymëzim i përhershëm për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar”, Përmeti organizon aktivitete madhështore në 180-vjetorin e lindjes së poetit kombëtar

PËRMET,26 maj 2026/Albania Express News/Në qytetin e Përmet u zhvilluan aktivitete të shumta kulturore dhe artistike me rastin e 180-vjetorit  të lindjes së poetit kombëtar Naim Frashëri, një prej figurave më të ndritura të historisë, kulturës dhe mendimit shqiptar.

Përmeti, qyteti që mban gjallë traditën, kulturën dhe dashurinë për artin, u kthye  në një qendër të rëndësishme të fjalës poetike dhe identitetit kombëtar shqiptar, duke mirëpritur poetë, studiues, krijues, artistë dhe dashamirës të kulturës nga të gjitha trojet shqiptare.

Aktivitetet u organizuan në bashkëpunim me Shoqatën Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ndërsa në qendër të tyre ishte promovimi i almanakut poetik “100 poetë për Naim Frashërin”, një botim i veçantë me krijime nga autorë shqiptarë dhe të huaj, që dëshmon se fryma dhe mesazhi i Naimit vijojnë të jetojnë fuqishëm ndër breza.

Atmosfera artistike, interpretimet poetike dhe diskutimet mbi trashëgiminë kombëtare të vëllezërve Frashëri e kthyen Përmetin në një tribunë të kulturës shqiptare, ku u evidentua edhe njëherë roli i jashtëzakonshëm që kanë luajtur Abdyl Frashëri, Sami Frashëri dhe Naim Frashëri në zgjimin kombëtar shqiptar.

Në kuadër të këtij aktiviteti u zhvillua edhe edicioni i XI-të i Festivalit Mbarëkombëtar “Në Gjurmët Naimiane”, ku morën pjesë edhe mjaft personalitete të njohura të jetës kulturore dhe akademike shqiptare.

Një moment shumë i rëndësishëm i ceremonisë ishte fjala e mbajtur nga kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha, e cila vlerësoi figurën e Naim Frashërit dhe rëndësinë që ka ruajtja e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në fjalën e saj, kryetarja Alma Hoxha u shpreh:

“Kam kënaqësinë e veçantë t’ju përshëndes sot në edicionin e XI-të të Festivalit Mbarëkombëtar ‘Në Gjurmët Naimiane’, një aktivitet që vit pas viti e ka kthyer Përmetin në një pikëtakim të rëndësishëm të kulturës, letërsisë dhe mendimit shqiptar.

Këtë vit mblidhemi në një moment të veçantë, pasi përkujtojmë 180-vjetorin e lindjes së poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri, figurës që me veprën dhe mendimin e tij u bë frymëzim për gjuhën, kulturën dhe vetëdijen kombëtare shqiptare.

Përmeti dhe emri i Naimit janë të lidhur natyrshëm me njëri-tjetrin. Në këtë trevë, fjala e bukur, libri, kënga dhe kultura kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës së njerëzve.”

Ajo falënderoi gjithashtu Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, si dhe institucionet mbështetëse për organizimin e këtij festivali që tashmë është kthyer në traditë kombëtare.

Gjatë ceremonisë u zhvillua edhe një moment solemn, ku Bashkia Përmet akordoi titullin “Qytetar Nderi” për dy personalitete të njohura shqiptare: Përparim Kabo dhe Flora Brovina.

Për profesor doktor Përparim Kabo, kryetarja Alma Hoxha vlerësoi kontributin e tij shumëvjeçar në filozofi, antropologji, etikë dhe kritikë arti, duke theksuar se ai mbetet një nga figurat më të respektuara të mendimit akademik shqiptar.

Ndërsa për Flora Brovinën, ajo evidentoi rolin e saj si mjeke, poete dhe simbol i humanizmit dhe qëndresës kombëtare shqiptare, veçanërisht gjatë periudhave më të vështira për Kosovën.

Në përfundim të ceremonisë, kryetarja e Bashkisë Përmet theksoi se qyteti ndihet krenar që nderon figura të tilla të shquara të kombit shqiptar, të cilat me dijen, kulturën, humanizmin dhe veprën e tyre kanë lartësuar emrin e shqiptarisë.

Veprimtaria u mbyll mes duartrokitjeve, interpretimeve artistike dhe emocioneve të forta patriotike, duke rikthyer në vëmendje figurën e pavdekshme të Naim Frashëri, i cili konsiderohet themelues i letërsisë moderne shqiptare dhe një nga ikonat më të mëdha të Rilindjes Kombëtare.

Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër dhe gjatë jetës së tij u bë një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ai ishte poet, mendimtar, përkthyes, hartues tekstesh shkollore dhe veprimtar i arsimit kombëtar shqiptar. Me veprat e tij në shqip, turqisht, persisht dhe greqisht, ai ndikoi fuqishëm në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në forcimin e identitetit shqiptar.

Veprat e tij madhore, si “Bagëti e Bujqësia”, “Historia e Skënderbeut”, “Qerbelaja” dhe “Fletore e Bektashinjet”, mbeten edhe sot gurë themeli të kulturës dhe letërsisë shqiptare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

GJKKO ndërpret seancën për procesin ndaj Erion Veliajt dhe 18 të pandehurve të tjerë

TIRANË,26 maj 2026/Albania Express News/Pritet të nisë në Gjykatën...

Aksident tragjik në Mengël të Elbasanit ku humbi jetën 7-vjeçar, hapen dyert e mortit në familjen Samurri

ELBASAN,26 maj 2026/Albania Express News/Në fshatin Mengël të Elbasan...

Presidenti Bajram Begaj pritet nga Papa në një audiencë në Vatikan, e fton për vizitë në Shqipëri

VATIKAN, 26 maj 2026/Albania Express News/ Presidenti i Republikës...