PRRENJAS,20 maj 2026/Albania Express News/
Kryetari i Bashkisë Prrenjas, Nuri Belba, ka bërë publik në faqen e tij zyrtare në Facebook nisjen e sezonit turistik 2026, përmes një aktiviteti të madh festiv që do të zhvillohet më 25 maj në zonën piktoreske të Rrajcë-Sutajt.
Sipas njoftimit, aktiviteti do të startojë në orën 11:00 dhe pritet të mbledhë dhjetëra vizitorë, operatorë turistikë, artizanë, ansamble folklorike dhe biznese lokale, në një festë që synon promovimin e trashëgimisë kulturore, vlerave tradicionale dhe potencialit turistik të zonës së Prrenjasit.
Në qendër të këtij organizimi do të jetë Festivali Folklorik “Rrajca e Valles”, i cili do të sjellë atmosferën autentike të këngëve dhe valleve tradicionale shqiptare, duke e kthyer zonën në një skenë të hapur kulture dhe tradite.
Pjesë e aktivitetit do të jetë edhe panairi “Art & Zeje”, ku artizanë dhe prodhues vendas do të ekspozojnë punimet karakteristike dhe produktet tradicionale të krahinës, ndërsa vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë gatimet tradicionale dhe mikpritjen karakteristike të banorëve të zonës.
Me moton “Traditë që na bashkon, kulturë që na identifikon”, Bashkia Prrenjas synon që përmes këtij eventi të promovojë turizmin lokal dhe të tërheqë sa më shumë vizitorë drejt bukurive natyrore dhe pasurisë kulturore që ofron Rrajca dhe gjithë krahina e Prrenjasit.

